"Merri sytë e mi", romancë dramatike në "Marubi"
Sonte, ora 19.00, në ekranin e kinemasë "Marubi" shfaqet filmi i regjisorit spanjoll Icìar Bollaìn "To Doy mis Ojos" (116 min), realizim i vitit 2003. Luajnë aktorët Laia Marull, Luis Tosar, Candela Peña etj.
Filmi tregon historinë e Pilarit (në rol Marull), një grua e dhunuar nga i shoqi, e cila një natë largohet nga shtëpia bashkë me djalin e saj. Por larg tij ajo kupton se është ende e dashuruar dhe në sytë e djalit të saj sheh dëshirën për të parë të atin.
Ëndrra e saj për ta ribashkuar familjen, pasi ai t'i nënshtrohet një terapie në grup, shkatërrohet nga sjellja përsëri e dhunshme e tij. I pritur mirë nga kritika, për mënyrën e trajtimit të dhunës ndaj gruas, jo si një klishe, filmi ka marrë 7 "Goya Award" në Festivalin e Filmit në Spanjë në vitin 2004, përfshirë këtu "Regjia më e mirë", "Fotografia më e mirë", "Aktori më i mirë protagonist" dhe "Aktorja më e mirë protagoniste". Gjithashtu, ai ka marrë 39 çmime në Festivale në të gjithë botën dhe ka qenë kandidat në 17 të tjerë.