E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklarata e ambasadoreve Mbeshtesim qeverine per veriun

Ambasadorët e shteteve të Quint-it përmes një deklarate i kanë dhënë mbështetje institucioneve të Kosovës për të rivendosur rendin dhe ligjin edhe në veri të Kosovës. Përfaqësuesit  e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë takuar kryeministrin Hashim Thaçi dhe kanë nxitur qeverinë që të vazhdojë bashkëpunimin me partnerët e saj ndërkombëtarë, në veçanti me KFOR-in dhe EULEX-in për të konsoliduar autoritetin e Kosovës në pikat kufitare, gradualisht dhe qetësisht gjatë një periudhe kalimtare.

Në përgatitjet e fundit para ndërhyrjes në veri, ditën e premte, kreu i Qeverisë ka mbledhur edhe kabinetin, ku ka folur për zhvillimet e fundit dhe mbështetjen që ka marrë për operacionin nga partnerët ndërkombëtarë.

“Tani ka ardhur koha që ky plan të implementohet. Plan është i Qeverisë së Kosovës është i konsultuar dhe i mbështetur nga EULEX dhe KFOR-i.  Është i koordinuar në plotësi me të gjithë faktorët relevantë ndërkombëtarë në Kosovë", tha kryeministri Thaçi.

Ndërkohë, në takimin me kryeministrin e Kosovës, ambasadorët e Quintit kanë përsëritur mbështetjen e qeverive të tyre për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës, përfshirë edhe në veri. Plani operacional për veriun parasheh vendosjen e plotë të kontrollit të Qeverisë së Kosovës në pikat doganore dhe kufitare në veri.

Sala Mustafa

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›