E Shtunë, 31 Tetor 2026

Referendumi kundër Berishës, dialogu i vërtetë me Shqipërinë

Petro Koçi 

Në 21 prill, Berisha na e hodhi! Me votat tona i mori të gjitha pushtetet Edhe atë të opozitës për mocion mosbesimi. Nuk ka bir nëne të vërë në një mendje tash e tutje të paktën 71 deputetë edhe kundër Saliut, edhe pro një Josaliu.
Saliu kryeministër i pas 21 prillit është më i rrezikshëm se Saliu president i ‘92-‘97. Tani ai ka kapur jo vetëm shtetin, por edhe opozitën, PS-në. Falë politikës së re! Si president nuk ia pat mbërritur dot. Falë politikës së vërtetë!
Shpresa e vetme për të shpëtuar pushtetet nga Saliu mbetet “Një shqiptar - Një votë”. Ose ndryshe referendum mbarëpopullor. Referendumi kundër Berishës është rruga e dialogut të vërtetë të politikës me Shqipërinë. Referendumi nuk është populizëm. Populizmi fton popullin në duartrokitje për politikën e re të kryeministrit dhe shërbëtorëve të tij tek opozita.
Edhe populizmi opozitar është teatër politik që kultivon popull spektator. Një popull spektator meriton kryeministra si Berisha. Të PD-së, ose jo. Me kushtetutën e re çdo kryeministër do jetë Berishë, pavarësisht se emrin mund të mos e ketë Sali.
Deri kur kështu ma?
Deri kur do të mbetemi spektatorë e të lejojmë që mbi gërmadhat e Gërdecit të ndërtohet pakti për drejtësi? Deri kur do të lejojmë shoqatën qeveritare Gërdeci të luajë si macja me miun me shoqatën opozitare “Delijorgji”?
Bile mund të bëjmë një pyetje edhe më provokuese! A e meritojmë maxhorancën e re gërdecokrate të 21 prillit? A e meritojmë deputetin që për një vend pune në parlamentin e ardhshëm shet kushtetutën?
Përgjigjet e këtyre pyetjeve nuk i meritojmë qyl nga çifti Rama-Berisha, por nga një referendum punëdashës.
    Vota mbarëpopullore e referendumit përbën instrumentin më demokratik të rrëzimit të monopoleve ekonomiko-financiare të sanksionuara politikisht në kushtetutën e politikës së re! Dhe pa rrëzuar monopolet, nuk mund të kemi kurrë mirëqenie e të paktën çmime më të lira.
Politika shqiptare ka vuajtur moteve nga gjithëpushtetshmëria e njëshave dhe pakontrollueshmëria ndaj tyre. Në vitet e pluralizmit kemi vuajtur nga presioni i qeverive mbi ligjvënësit e zgjedhur nga populli. Pra, kemi vuajtur nga pushteti i tenderxhinjve mbi përfaqësuesit e popullit. Ndryshimet e politikës së re në kushtetutë sanksionuan kontrollin qeveritar mbi Kuvendin. Tenderxhinjtë e shpërndajnë parlamentin tashmë kur të duan. Rruga e mbijetesës së mandatit të vulosur nga populli mbetet ajo e nënshtrimit ndaj kryetenderxhiut të radhës.
Me këtë kushtetutë nuk mund të kemi kurrë qeverisje me dorë të pastër! D.m.th, qeverisje që i destinon taksat për mirëqenien e publikut e jo të tenderxhinjve të qeverisë!
 Pas 21 prillit nuk mund të lejojë socialistë të hutuar, të trembur e të nënshtruar. Socialistët të nënshtruar ndaj regjimit në parti nuk mund të bëhen trima kundër regjimit qeverisës. Socialistët e nënshtruar jenë përgjegjësit opozitarë të instalimit kushtetues të pushtetit personal të kryeministrit aktual. Kultivimi i nënshtrimit në parti e katandisi aksionin politik të PSSH në përulje ndaj pushtetit kryeministror. Bashkimi i votave socialiste me Berishën për ta çimentuar karrigen e tij përbën aktin më të shëmtuar të ndonjë opozite shqiptare deri tani.
Prandaj referendumi merr një rëndësi parimore edhe për vijimësinë e demokracisë së brendshme në PS. Referendumi është rruga e çlirimit të anëtarësisë së saj nga nënshtrimi. Ky çlirim e sjell gjithë opozitën drejt bashkimit dhe pushtetit.
Politika për kushtetutën nuk është monopoli i kryetarëve të pashallëqeve partiake. Ajo është pronë e qytetarëve. Referendumi garanton pjesëmarrjen e qytetarit në qeverisje dhe në vendimmarrje me rëndësi strategjike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›