Paqeruajtësit, ushtarë shqiptarë edhe në Afrikë
Qeveria ka miratuar dje kontingjentin prej 62 trupash që do të shkojë në Çad dhe Afrikën Qendrore
TIRANË- Pas Afganistanit, Irakut dhe Bosnjës, forcat tona ushtarake shumë shpejt do të bëhen pjesë e misioneve paqeruajtëse edhe në zonat e trazuara të Afrikës. Ende pa u nënshkruar në mënyrë zyrtare marrëveshja për pjesëmarrjen e Shqipërisë në operacionet ushtarake që Bashkimi Evropian kryen në këtë kontinent, qeveria shqiptare ka miratuar dje projekt-aktin normativ për dërgimin e një trupe të specializuar ushtarakësh në menaxhimin e krizës që ka përfshirë prej kohësh shtetin e Çadit dhe atë të Afrikës Qendrore. Kontigjenti i ushtarëve dhe oficerëve që do të drejtojnë këtë mision, do të jetë pjesë e operacionit “EUFOR Tchad/RCA” të Bashkimit Evropian, në zbatim të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Kontingjenti
Forca ushtarake shqiptare që do të marrë pjesë në këtë mision, do të jetë e përbërë nga 62 efektiva, dhe që do të rinovohet në çdo 6 muaj. Ata do jenë pjesë e operacionit “EUFOR Tchad/RCA”, i cili përbëhet nga 370 trupa ushtarakësh, ku 55 për qind e këtij kontingjenti janë francez dhe pjesa tjetër është kontingjent i 13 shteteve të Evropës, midis të cilave dhe Shqipëria. Për shkak të rrezikshmërisë dhe vështirësisë që mbart një operacion i tillë, qeveria shqiptare ka vendosur që të bëjë një trajtim të veçantë financiar për 62 efektivët që do të nisen për në Çad dhe Afrikën Qendrore. Kostoja financiare e pjesëmarrjes së kësaj kompanie në këtë mision, llogaritet që të jetë afërsisht 127 milionë, në çdo gjashtë muaj, ku për secilin prej ushtarëve parashikohet paga, shpërblimi ditor, sigurimi i jetës, ndërlidhja strategjike Shqipëri-Çad, evakuimi mjekësor, strategjik dhe shërbimi postar. E gjithë kostoja financiare e këtij operacioni do të përballohet nga Buxheti i Shtetit. Ndërkohë që shpenzimet për mbështetjen logjistike, shëndetësore dhe transporti i trupave do të përballohen nga Forcat e Armatosura të Francës.
Misioni
Në 28 janar të vitit 2008, Bashkimi Evropian, për shkak të paqëndrueshmërisë politike dhe konflikteve etnike, vendosi fillimin e një operacioni ushtarak në pjesën lindore të Çadit dhe në verilindje të Afrikës Qendrore me qëllim mbrojtjen e civilëve, të personelit të OKB-së dhe shpërndarjen e ndihmave. Në këtë kuadër, misioni i trupave shqiptare që do të marrin pjesë në operacion do të jetë sigurimi i Shtabit të Përgjithshëm të EUFOR-it, me vendndodhje në qytetin e N’Dajmesë në Republikën e Çadit, patrullimi në rrugët e këtij qyteti, shoqërimi dhe sigurimi i personaliteteve civile dhe ushtarake të rëndësishme nga aeroporti në kamp e anasjelltas, si dhe sigurimi me eskortë i trupave që mund të lëvizin nga kampi që ndodhet në qytetin N’Djamena, në kampin e qytetit Abeche. Qëllimi i dërgimit të këtij misioni në Afrikë, sipas relacionit shoqërues të këtij projekt-akti normativ, është pikërisht demonstrimi i kapaciteteve të ushtrisë shqiptare si një forcë e denjë për anëtare me të drejta të plota të NATO-s