E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet, Beja kundër Topit

 

Komisioni i Ligjeve ka refuzuar të marrë në shqyrtim dekretin e Presidentit për legalizimet

TIRANË- Vërejtjet e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për ligjin e ndryshuar të legalizimeve nuk janë mirëpritur nga të gjithë përfaqësuesit e djathtë. Megjithëse mazhoranca ka pranuar dekretin e tij për të riparë edhe një herë draftin në fjalë, eksponentët kryesorë të saj vlerësojnë se kreu i shtetit, në komentin me të cilin ka shoqëruar dekretin e vet, ka dalë jashtë kompetencave të veta kushtetuese. Nënkryetari demokrat i Kuvendit, Fatos Beja, pavarësisht se vlerëson si plotësisht kushtetuese dekretin e kreut të shtetit për të mos pranuar ligjin e përmirësuar të legalizimeve, është shprehur dje se ai nuk ka të drejtë që të bëjë komente shtesë lidhur me ligjin bazë të legalizimeve që është miratuar gati dy vjet më parë. Vërejtjes së deputetëve opozitarë se gjatë rimarrjes së këtij drafti për diskutim nga Komisioni parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese nuk janë reflektuar të gjitha vërejtjet e Presidentit, kryetari i Komisionit parlamentar të Ligjeve, Beja, duke diskutuar pikërisht për këtë dekret, ka theksuar se: “Presidenti i Republikës nuk ka të drejtë që të shprehet në mënyrë ligjore dhe detyruese, për një ligj që ka dy vjet që ka hyrë në fuqi”. Ndërkohë që, më pas, Komisioni i Ligjeve nuk ka pranuar të marrë në shqyrtim dekretin e kreut të shtetit për kthimin e ligjit “për Urbanizimin dhe Legalizimin e Zonave Informale”, dhe shkak është bërë debati për çështjen nëse ky komision duhet apo jo ta marrë në shqyrtim atë nen për nen, apo thjesht nga ana formale. Sipas kryetarit të këtij komisioni, Fatos Beja, Rregullorja e Kuvendit përcakton që një dekret të kreut të shtetit, ka të drejtë ta marrë në shqyrtim nen për nen vetëm komisioni përgjegjës dhe jo komisionet e tjera parlamentare. Prandaj ai ka ftuar deputetët që të votojnë nëse e pranojnë ose jo dekretin, pa u futur në diskutime për nene të veçanta. “Unë këtë po them, që ne nuk jemi komisioni përgjegjës, nuk jemi ne që duhet të diskutojmë nen për nen. Në qoftë se seanca vendos për një nen të caktuar, atëherë ne mund të shprehemi, ndryshe ne nuk kemi tagër për t’u marrë më tepër me të”, - u shpreh Beja. Por deputetët e opozitës kanë theksuar se Komisioni i Ligjeve, në rast se e merr në shqyrtim dekretin, duhet ta diskutojë atë edhe në përmbajtje dhe jo thjesht nga ana formale. “Ne duhet ta diskutojmë në themel, pasi vetëm ne mund ta kalojmë në filtër përputhshmërinë e këtyre ndryshimeve me Kushtetutën”, - u shpreh deputeti socialist Besnik Dervishi. Nisur nga mendimet e ndryshme, kryetari Beja ka vendosur ta kalojë dekretin për diskutim direkt në seancë plenare, pa pranuar që Komisioni i Ligjeve të shprehet qoftë dhe nga ana formale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›