Ndryshimet që ruajnë status-kuonë
Blendi Kajsiu
Nga eksponentë të ndryshëm të Partisë Demo-kratike, po flitet gjithnjë e më tepër për domosdoshmërinë e ndryshimeve në qeveri. Argumentet që jepen në këtë drejtim janë të shumtë dhe shpesh mjaft bindës. Disa thonë se PD-ja ka nevojë për një qeveri më përfaqësuese, të tjerë argumentojnë se mungon filozofia qeverisëse. Pra, nga njëra anë kërkohet përfshirja në qeveri e figurave me një profil më të lartë dhe përfaqësues, nga ana tjetër kërkohet një filozofi e djathtë qeverisëse. Natyrisht të dyja janë të lidhura ngushtë, pasi është e kotë të kesh figura të profilit të lartë politik në mungesë të një filozofie qeverisëse. Qeverisja nuk është thjesht një koleksion individësh publik, por materializmi i një filozofie apo fryme të caktuar nëpërmjet tyre. Dhe pikërisht këtu qëndron problemi me ndryshimet në qeveri. Nuk është e qartë në emër të cilës frymë apo filozofie kërkohen këto ndryshime. Nuk kuptohet se cilat dështime apo mosarritje të qeverisë kanë nevojë të korrigjohen.
Nga njëra anë zëra brenda PD-së kërkojnë ndryshime në qeveri. Nga ana tjetër askush apo pakkush brenda PD-së ka ‘guximin’ të flasë për ndonjë dështim të qeverisë apo të parashtrojë ndonjë projekt konkret se si duhet përmirësuar trajektorja e qeverisjes. Edhe ndonjë zë që artikulon mungesën e filozofisë së qeverisjes së PD-së, nuk na thotë se çfarë filozofie duhet. A është e nevojshme që PD-ja t’i rikthehet doktrinës neoliberale për të reformuar sektorin publik? A duhet të përqafojë më shumë shqetësimet e të djathtës konservatore dhe të ish-pronarëve? Apo PD-ja duhet të qartësojë pozicionin e saj si parti e qendrës së majtë me shqetësimin për shtresat në nevojë dhe urrejtjen ndaj vaskave të floririt?
Kur vjen puna tek logjika dhe filozofia konkrete që duhet të motivojë ndryshimet në qeveri, të gjithë zërat bashkohen duke thënë se ky është ekskluzivitet i Kryeministrit Berisha. Ama po të dëgjojmë këtë të fundit, nuk ka asnjë arsye se përse duhen bërë ndryshimet. Qeveria jo vetëm i ka arritur, por edhe i ka tejkaluar premtimet e saj. Sipas kryeministrit dhe eksponentëve të tjerë në PD, është kjo qeveri që po e fut Shqipërinë në NATO. Është absurde të mendosh se ftesa e Shqipërisë për në NATO do të varet nga ndryshimi i disa emrave në kabinet. Aq më tepër sot, kur PD-ja ka edhe të gjithë mbështetjen e PS-së për ndërmarrjen e të ashtuquajturave reforma themelore, që deri tani na ka dhënë një kushtetutë të re të mbushur me rreziqe të vjetra.
Natyrisht kjo nuk do të thotë se ndryshimet në qeveri nuk mund apo nuk duhet të bëhen. Problemi është se për ta bërë qeverisjen më efikase dhe më përfaqësuese, duhet që më parë të përcaktohet se si mund të arrihet diçka e tillë në parim dhe më pas në praktikë, d.m.th me emra konkretë. Prandaj përpara ndryshimeve konkrete do ishte i nevojshëm një diskutim në lidhje me trajektoren e qeverisjes së PD-së dhe mënyrës se si ajo mund të përmirësohet. Është e vështirë ta përmirësosh apo korrigjosh qeverisjen pa përcaktuar më parë se çfarë duhet korrigjuar konkretisht. Në të kundërt, ndryshimi i disa emrave të përveçëm nuk do të shërbejë veçse për të mbuluar status-kuonë e një qeverisje që duket se e ka humbur tërësisht busullën. Aq sa ndërmerr fushata alla “Shqipëria në NATO”, ku synon t’i mbushë mendjen rreth 5% të elektoratit se Shqipëria duhet të futet në NATO. Ndërkohë 95% e elektoratit që e mbështet bindësh anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, e ka gjithnjë e më të paqartë se përse duhet ta votojë PD-në në zgjedhjet e 2009-ës, pasi Shqipëria të jetë anëtarësuar në NATO.