Takimi në Athinë, Rama: Darka, për mesazh kontradiktor ndaj Shqipërisë. Në Samitin e Berlinit i ftuar Mitsotakis, jo Presidentja

Përmes diplomacisë, kryeministri Edi Rama i ka kthyer përgjigje homologut grek, Kyriakos Mitsotakis, i cili nuk e ftoi në darkën e organizuar në Athinë bashkë me liderët e Ballkanit dhe ata të Bashkimit Europian.
Në një postim në platformën X (Twitter), ku mesazhet e forta politike i përcolli duke ruajtur respektin për fqinjin, Rama i tregoi Mitsotakis se nuk do ia kthejë me të njëjtën monedhë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në tetor në Tiranë.
“Këtë tetor, Shqipëria do të kryesojë Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë. Natyrisht, miku im i dashur dhe kolegu shumë i respektuar në Athinë ka qenë i ftuar të marrë pjesë dhe nuk mund ta imagjinoja kurrë të përgjigjesha nën zë, duke ftuar në vend të tij Presidenten greke, për të cilën kam edhe respektin më të madh,” shkruan Rama.
Sipas kreut të qeverisë shqiptare, darka u përdor për t’i përcjellë një mesazh kontradiktor Shqipërinë, që binte ndesh me qëllimin “shumë më ambicioz” të takimit në Athinë.
“Shpresoj shumë që takimi të ishte produktiv dhe sigurisht, më mirë të mos e kisha parë darkën e përdorur për t’i dërguar Shqipërisë një mesazh kontradiktor kundrejt qëllimit shumë më ambicioz të nismës dhe shpresoj që ky fakt fatkeq të mos ngatërroi të nderuarit e ftuar. Për sa më përket mua, të flasësh, të komunikosh, të debatosh me miqtë, aleatët, partnerët dhe fqinjët, para së gjithash, është thelbi i politikës ndërkombëtare dhe të përpiqesh, gjithmonë të përpiqesh, të vendosësh veten në vendin e tjetrit është një domosdoshmëri. Aq më tepër kur gjërat duket se shkojnë keq,” thekson kryeministri.
Duke mos sqaruar se cilat janë “palët e treta”, Rama thotë se ato po ndikojnë për të krijuar tensione të paqena, teksa shton se vendet e rajonit duhet të përqendrohen te sfidat më të mëdha.
“Unë e kuptoj presionin e palëve të treta, të etur për të shfrytëzuar çdo rast për të bërë një mal nga një kodër. Por ne të gjithë kemi sfida shumë më të mëdha përpara, ka male të vërteta për t’u ngjitur. Ajo që duhet të na bashkojë në kohë të tilla të trazuara për hir të popullit tonë, vendeve tona, rajonit tonë, Evropës tonë është më e madhe se ajo që na ndan. Shumë është në rrezik globalisht, që ne të bëhemi peng i politikës së brendshme fisnore”, përfundon Rama postimin e tij.
Kryeministri grek ftoi të hënën në një darkë informale liderët e rajonit dhe ato të BE, por në rastin e Shqipërisë, ftesa i shkoi Presidentit Bajram Begaj, jo kryeministrit Rama. Si rrjedhim, në takimin e 21 gushtit, Shqipëria nuk kishte përfaqësues.
Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë ardhur duke u tensionuar si pasojë e arrestimit të kreut të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri. Pala greke e sheh arrestimin e Belerit si shkelje e të drejtave të njeriut, duke kërkuar lirimin e tij.
Postimi i plotë:
Këtu është përgjigja ime për të gjithë ata, në Greqi, Shqipëri apo gjetkë, që komentuan në mënyra të ndryshme ose u hutuan nga mungesa ime në Athinë, por edhe për gazetarët që kërkuan mendimin tim dhe nuk morën përgjigje para ngjarjes. Arsyeja është e thjeshtë: nuk doja të shqetësoja mikpritësin dhe të ftuarit e tij, duke e shtuar zhurmën para se miqtë e mi të mirë të mbledhur në Athinë të përfundonin punën e tyre.
Jam i lumtur që Kyriakos mori iniciativën për të bërë bashkë liderët shumë të rëndësishëm dhe për të diskutuar të ardhmen evropiane të Ballkanit në sfondin e agresionit rus. Rajoni ka nevojë që Greqia të përfshihet më shumë në rrugën tonë të përbashkët. Unë i kam thënë gjithmonë atij apo miqve të tjerë grekë, duke e thënë publikisht në disa raste, se sinqerisht besoj se vendi i tyre ka një rol të natyrshëm për të luajtur në Ballkan duke pasur parasysh profilin dhe përvojën e tij në BE.
Shpresoj shumë që takimi të ishte produktiv dhe sigurisht, më mirë të mos e kisha parë darkën e përdorur për t’i dërguar Shqipërisë një mesazh kontradiktor kundrejt qëllimit shumë më ambicioz të nismës dhe shpresoj që ky fakt fatkeq të mos ngatërroi të nderuarit e ftuar. Për sa më përket mua, të flasësh, të komunikosh, të debatosh me miqtë, aleatët, partnerët dhe fqinjët, para së gjithash, është thelbi i politikës ndërkombëtare dhe të përpiqesh, gjithmonë të përpiqesh, të vendosësh veten në vendin e tjetrit është një domosdoshmëri. Aq më tepër kur gjërat duket se shkojnë keq.
Në tetorin e ardhshëm Shqipëria do të kryesojë Samitin e Procesit të Berlinit të këtij viti në Tiranë. Natyrisht, miku im i dashur dhe kolegu shumë i respektuar në Athinë ka qenë i ftuar të marrë pjesë dhe nuk mund ta imagjinoja kurrë të përgjigjesha nën zë, duke ftuar në vend të tij Presidentin grek, për të cilin kam edhe respektin më të madh.
Unë e kuptoj presionin e palëve të treta, të etur për të shfrytëzuar çdo rast për të bërë një mal nga një kodër. Por ne të gjithë kemi sfida shumë më të mëdha përpara, ka male të vërteta për t’u ngjitur. Ajo që duhet të na bashkojë në kohë të tilla të trazuara për hir të popullit tonë, vendeve tona, rajonit tonë, Evropës tonë është më e madhe se ajo që na ndan. Shumë është në rrezik globalisht, që ne të bëhemi peng i politikës së brendshme fisnore.
/rtsh.al/