Deklarata që rrëzon Ramën dhe zgjidh ngërçin

Kryetari i socialistëve, si dhe ai i popullorëve europianë, në një deklaratë të përbashkët shpallin si të mbyllur diskutimet për zgjedhjet e 28 qershorit, duke përcaktuar edhe agjendën politike në të cilën duhet të angazhohet opozita. Miratimi i ligjeve reformatore në parlament dhe komisioni i reformës zgjedhore janë dy pikat e rëndësishme ku kërkohet bashkëpunimi i opozitës. Përndryshe, për Edvin Ramën mbetet vetëm një rrugë, karantina
Parlamenti Evropian kërkon sërish nga forcat politike të Shqipërisë zbatimin e reformave për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në BE. Duke marrë shkas nga ngërçi politik i pazgjidhur, parlamentarët e Unionit, përsërisin thirrjen për dialog dhe konsensus brenda Kuvendit. Përmes një deklarate të përbashkët, dy forcat politike të Parlamentit Europian, PPE dhe PSE kanë shprehur keqardhje për moszgjidhjen e mosmarrëveshjeve në politikën shqiptare.
Sipas deklaratës së Kryetarit të Grupit të PPE Joseph Daul dhe Presidentit të socialdemokratëve në PE, Martin Schulz shprehet keqardhje që forcat politike shqiptare nuk kanë arritur të zgjidhin ngërçin politik, duke theksuar se në këtë mënyrë pengojnë edhe aspiratat evropiane.
PE thekson se zgjidhja e ngërçit duhet të vijë në përputhje me ligjin dhe në respekt me kushtetutën. Daul dhe Shulz i kërkojnë qeverisë e opozitës të gjejnë zgjidhje të përbashkët për krizën, pasi sipas tyre të dyja palët janë të vetëdijshme që moszgjidhja e krizës pengon integrimin e shqiptarëve.
“Zgjidhja e ngërçit, të bëhet në respekt të plotë me kushtetutën dhe ligjet në fuqi të vendit. I kërkojmë opozitës të vazhdojë punën brenda parlamentit. Qeveria të punojë me opozitën për reformën e sistemit zgjedhor dhe procedurat parlamentare. Në këtë kontekst, ne shpresojmë që udhëheqja politike shqiptare, e kupton mirë se tejkalimi i kundërshtimeve aktuale politike është vendimtar për ecurinë e integrimit evropian të vendit dhe për promovimin e aspiratave evropiane të qytetarëve shqiptarë” - theksohet në deklaratë. Ata vërejnë më tej se “shprehim keqardhje që qeveria shqiptare dhe opozita nuk mund të kapërcejnë mosmarrëveshjet e tyre, duke mos qenë në gjendje të ndërmarrin hapa të mëtejshme drejt përmbushjes së ambicieve evropiane të vendit”.
Deklarata e plotë e Joseph Daul dhe Martin Schulz
Në emër të grupeve tona politike, një nismë lehtësuese ka qenë nisur më 20 maj 2010 për të ndihmuar qeverinë shqiptare dhe opozitën, në mënyrë që të kapërceheshin dallimet e tyre politike, pas zgjedhjeve të përgjithshme më 28 qershor 2009.
Kjo iniciativë është përkrahur nga ana e Përfaqësuesve të Lartë dhe nga Komisioneri Fule. Në bisedat e hapur në Strasburg, Tiranë dhe Bruksel, të dy përfaqësuesit janë takuar me një ekip këshillues dhe kanë hulumtuar pikëpamjet dhe qëndrimet e secilës palë. Ne sinqerisht shprehim keqardhje që qeveria shqiptare dhe opozita nuk mund të kapërcejnë mosmarrëveshjet e tyre dhe për këtë arsye nuk kanë qenë në gjendje të ndërmarrin hapa të mëtejshme të nevojshme drejt përmbushjes së ambicies evropiane të vendit. Ne do të vazhdojmë të mbështesim rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, mbi bazën e kritereve të Kopenhagës si dhe kriteret e përcaktuara nga konkluzionet e dhjetorit 2006 të Këshillit Europian, ku në konsensus të gjerë rinovohet pikëpamja e BE-së për zgjerimin. Në këtë kontekst, ne shpresojmë që udhëheqja politike shqiptare, ta kuptojë mirë se tejkalimi i kundërshtimeve aktuale politike është vendimtare për ecurinë e integrimit evropian të vendit dhe për promovimin e aspiratës evropiane të qytetarëve shqiptarë.
Ne theksojmë - së bashku me Këshillin - se është përgjegjësi e Qeverisë së Shqipërisë së bashku me opozitën për të gjetur menjëherë, në mënyrë transparente dhe në respektimin e plotë të kushtetutës shqiptare, zgjidhjen për të t’i dhënë fund ngërçit aktual dhe të ecet përpara drejt reformave që i presin. Në të njëjtën kohë, ne presim që Qeveria të punojë bashkë me opozitën me qëllim realizimin e reformës së sistemit zgjedhor dhe procedurat parlamentare, për zgjedhjet e ardhshme.
L.Q