Shqipëria, me performancë ekonomike pranë 10 vendeve të para të BE-së
Berisha: “Shqipëria është një nga vendet e preferuara për investime. Raporti u jep përgjigjen më të shkëlqyer atyre që ndjellin krizë e zi, pasi Shqipëria i rezistoi më mirë krizës”
Shqipëria renditet shumë pranë performancës së 10 vendeve të para të BE për nga zhvillimi ekonomik. Një konkluzion i konfirmuar nga Raporti i Drejtorisë së Përgjithshme të çështjeve Ekonomike dhe Financave në BE, i cili i referohet të dhënave ekonomike kryesisht të 2 viteve të fundit për të gjithë rajonin. Kryeministri Sali Berisha deklaroi gjatë mbledhjes së qeverisë se raporti vlerëson dukshëm ekonominë shqiptare, nxitëse për investimet e huaja për politikë monetare stabël, apo rritje të ndjeshme të ardhurave buxhetore. Sipas kreut të qeverisë, BE ka vlerësuar maksimalisht ekonominë shqiptare, duke e cilësuar atë si të denjë të përqendrimin e investimeve të huaja.
Ekonomia shqiptare, vlerësime maksimale
Duke iu referuar raportit të drejtorisë së përgjithshme e çështjeve të ekonomisë për vendet e rajonit, Berisha nënvizoi se në Shqipëri janë realizuar investime të mëdha dhe se vendi ynë ka ndryshuar më shpejt se kurrë. “Sot, dua të sjell para jush, por edhe para mbarë qytetarëve shqiptarë, Raportin që Drejtoria e Përgjithshme e çështjeve të Ekonomisë dhe Financave në Bashkimin Europian ka bërë për vendet e Rajonit, me vlerësimet për secilin vend, të cilat në tërësinë e tyre janë të azhornuara me të dhënat e fundit, por ka prej tyre edhe të dhëna të vitit 2007. Në këtë Raport, ajo që merr vlerësimet më maksimale është ekonomia shqiptare. Raporti që në fillim thekson se në Shqipëri, në bazë të rritjes ekonomike, kanë qëndruar investimet e mëdha. Për të gjithë ata që kanë sy dhe duan të shikojnë dhe ky është edhe perceptimi në tërësi i të gjithë qytetarëve shqiptarë, ky vend ka ndryshuar më shpejt dhe më shumë se kurrë”, u shpreh kryeministri.
Sipas Berishës raporti citon se kontributi i industrisë dhe ndërtimit ishte 40 për qind, kundrejt vetëm 20 për qind në vendin tjetër të dytë. “Vetëm në vitin 2009, Shqipëria ia doli së bashku me Serbinë në këtë rast, të tërheqë investime 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm, madje në Shqipëri, thotë Raporti, llogaritë financiare u dyfishuan, krahasuar me një vit më parë. Në disa vende, thekson ky Raport, financimi i jashtëm u ngadalësua, në disa jo, sidomos në ato vende me surplus në llogaritë financiare si Shqipëria. Vetëm Shqipëria dhe Mali i Zi mbetën tërheqëse për investimet e huaja”, deklaroi Berisha.
Sipas këtij Raporti, Shqipëria qëndron në krye të kontributit të sektorit privat në ekonominë shqiptare dhe të ardhurat. “Shqipëria, thotë Raporti dhe ky është vlerësimi më maksimal që ky vend ka marrë ndonjëherë në historinë e tij për ekonominë, ka bërë një progres të rëndësishëm dhe ka arritur shumë afër performancës së dhjetëshes së Bashkimit Europian. Këto janë frytet e një kursi të thellë reformash, të cilat, të vlerësuara në raport me lirinë ekonomike, Shqipëria është e para, pastaj Turqia dhe Maqedonia cilësohen si vende në vend të mirë, si ekonomi moderuar shumë të lira, ndërsa të tjerët në rajon janë ‘mostly unfree’, d.m.th. më së shumti jo të lira. Liria funksionon në këtë vend, sepse ishte vota e lirë”, tha kryeministri Berisha.
Raporti, përgjigjia më e mirë krizë-ndjellësve
Konkluzionet pozitive të raportit të Bashkimit Evropian, për situatën ekonomike në Shqipëri, i mbyllin gojën përfundimisht atyre që flasin për krizë nga mëngjesi deri në darkë.
Kryeministri Berisha cilësoi se raporti është realist dhe përfaqëson kursin e gjerë të reformave të qeverisë shqiptare. “Ky Raport i jep përgjigjen më të shkëlqyer atyre që ndjellin nga mëngjesi gjer në darkë, krizë dhe zi. Raporti thekson se ekonomia shqiptare rezistoi më mirë se të gjitha të tjerat dhe ekonomia shqiptare rezistoi, sipas Raportit, sepse rritja e saj u bazua në shtyllat më solide që janë investimet. Ky Raport fakton se në Shqipëri investimet ishin 40 përqind, kundrejt 20 përqind që ato kapën në maksimum, në të gjitha vendet e tjera. Duke theksuar këto, absolutisht nuk mund të injorohen dhe mohohen reflektimet dhe pasqyrimet e krizës globale, por çdo ditë e më shumë në arenën ekonomike Shqipëria dhe shembulli i saj merret referencë”, tha Berisha.
Në mënyrë të përsëritur, tha kryeministri, kemi mbrojtur pikëpamjet se një nga faktorët kryesorë që ekonomia jonë rezistoi ishte investimet e mëdha publike, të cilat përbënin konvertimin më të shkëlqyer të kapitalit financiar në ekonomi reale, por shumëformëshe, se të tjerët i shndërruan në ndërtim dhe u mbetën bosh, zbrazët.
“Shqipëria i rezistoi krizës, sepse ajo ka një administratë publike që peshon mbi shpatullat e atyre që prodhojnë 80 për qind të GDP-së, pra, të sektorit privat, dy herë më pak, sesa në secilin nga vendet e rajonit. Këto janë politikat konsistente, të cilat bënë Komisionin Europian të thotë se Shqipëria është shumë afër dhjetëshes së Bashkimit Europian”, deklaroi më tej, kryeministri Sali Berisha.