E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklarata/Do liberalizojmë vizat me SHBA, vetëm Edi Rama është kundër

05-06-2013 / Gazeta 55

Divjakë - Berisha: Sfidë e programit të PD, zhvillim dhe mirëqenie

Kryeministri Berisha ftoi fermerët e Divjakës t’i besojnë alternativës së PD-së dhe taksës së sheshtë, e cila, siç u shpreh ai, është taksa e ndershme e të dhjetës. “Kjo është taksa më e ndershme, ndërsa taksa progresive është taksa e shkatërrimit të prodhimeve tuaja”

Divjaka ka qenë ndalesa e radhës e kryeministri Sali Berisha dje, ku prezantoi kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike për rrethin e Lushnjes. Kreu i qeverisë, duke shprehur mirënjohje për qytetarët e Divjakës, puna e të cilëve e ka transformuar këtë zonë në portën kryesore të zhvillimit për mbarë Shqipërinë, vuri në dukje se Partia Demokratike do të bëjë gjithçka për të mbrojtur interesat e qytetarëve, “gjithçka për ta bërë Divjakën me infrastrukturën moderne që meriton, shkollat më të mira, ujësjellësit, kanalizimet, për të rritur mirëqenien dhe për të sjellë ndryshim historik të zhvillimit”.
Sot së bashku, vijoi Kryeministri, “të ecim në projektin tonë madhor, integrimin e Shqipërisë në BE”. “Në këto pak vite, me një punë të përbashkët, ia kemi dalë ta shndërrojmë vendin në një shembull suksesi. Shqipëria në NATO është historia jonë e suksesit. Rritja e rrogave dhe pensioneve, mbi dyfishimi i rrogave të mësuesve, mjekëve, infermierëve është një histori reale suksesi dhe jemi të vendosur për rritjen e rrogave dhe pensioneve edhe këtë vit”- tha ai. Berisha vuri në dukje se në këto pak vite kemi ndërtuar mbi 10 mijë km rrugë të reja, 1300 shkolla 400 qendra shëndetësore e spitale si dhe kemi subvencionuar mbi 45 mijë fermerë, të cilët kanë shtuar me mijëra e dhjetëra hektarë ullishte, sera e prodhime të tjera bujqësore. Në këto vite, vuri në dukje kreu i qeverisë, “ne ia dolëm ta bëjmë Shqipërinë tërheqëse për investitorët e huaj në vlerën e 4,2 miliardë dollarë, duke hapur qindra mijëra vende pune”. Berisha u shpreh se në 8 vite qeveria e tij ka bërë shumë për të ndryshuar Divjakën, Lushnjën e mbarë Shqipërinë, ndërsa premtoi për 4 vitet që vijnë, hapjen e 250 mijë vendeve të reja të punës, thithjen e 6 miliardë dollarëve investime të huaja si dhe 7 milionë turistëve. “Qytetarët e Divjakës sot mbjellin dhe eksportojnë prodhimet e tyre të mrekullueshme. Divjaka sot është bërë e njohur për potencialin e jashtëzakonshëm turistik. Sot gjen një Shqipëri me rrugë të reja në të katër anët e saj. Ndërtuam mbi 360 sisteme ujësjellësish dhe 450 kanalizime, 400 qendra shëndetësore dhe ambulanca, mbështetëm 45 mijë fermerë”, tha ai.
Kryeministri Berisha ftoi fermerët e Divjakës t’i besojnë alternativës së PD-së dhe taksës së sheshtë, e cila, siç u shpreh ai, është taksa e ndershme e të dhjetës. “Kush merr dhjetë paguan 1, kush merr 100 paguan 10, kush merr 1000 paguan 100, kjo është taksa më e ndershme, ndërsa taksa progresive është taksa e shkatërrimit të prodhimeve tuaja”, tha kryeministri. Berisha garantoi se “në katër vitet që vijnë do të marrim statusin e vendit kandidat, do të hapim negociatat për anëtarësimin në BE, shqiptarët do të përfitojnë miliona euro investime”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›