Genc Pollo: Ndjehet entuziazmi i fitores së mandatit të tretë - Rama nuk ka asnjë alternativë qeverisëse
“Kemi thënë në 2009 se në vitin e parë të mandatit të dytë do hiqen vizat për shqiptarët dhe u hoqën për në Itali, Greqi, Gjermani e kudo nëpër Evropë, vetëm me pasaportën e tyre si qytetar të respektuar të kontinentit”. Ky është mesazhi që kryesuesi i listët së PD-së në qarkun e Beratit, njëkohësisht Ministër i Inovacionit dhe TIK, Genc Pollo, drejtuar mbështetësve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike në lagjen “Dëshmorët e Kombit” në Berat.
Më tej ministri dhe deputeti Pollo ka folur edhe për nxitjen e rritjes së punësimit, me futjen e Beratit në listën e trashëgimisë botërore, UNESCO. “Kemi thënë që do nxisim punët dhe investimet dhe Berati është një qytet turistik. Ishte një arritje që e vumë në listën e UNESCO-s, por ishte një tjetër arritje që përmes shumë e shumë mënyrash sot të kemi një industri hoteliere në Berat dhe kush vjen duhet të pronotojë 3 ditë para, sepse dhomat janë zënë o nga turistët e vendit, por edhe të huaj, ose nga punonjësit e huaj si rezultat i investimeve që janë bërë në naftë edhe në fusha të tjera”- tha Pollo.