E Diel, 1 Nëntor 2026

Deklarata/“Politika e PD është rritje rrogash në 700 dollarë, pensionet tuaja 150 dollarë, rroga minimale në 350 dollarë”

20-06-2013 / Gazeta 55

Berisha: Pavarësisht nga bindjet politike, votoni projektin e Partisë Demokratike për më shumë zhvillim
 
Kryeministri Sali Berisha inauguroi dje rikonstruksionin e rrugës Bilisht – Miras, në Devoll, 15.5 kilometër dhe investim me vlerë 576 milionë lekë, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Evropiane e Investimeve dhe qeveria shqiptare. Rruga lehtëson transportin për 20.000 banorë të komunave Miras, Qendër Bilisht, Hoçisht dhe 20 fshatra të këtyre komunave me njëra-tjetrën, me superstradën Korçë – Bilisht – Kapshticë dhe me qytetin e Bilishtit. Rruga e re shkurton kohën e udhëtimit 3 herë, krahasuar me atë përpara rikonstruksionit të rrugës.  Ndikimi që sjell ndërtimi i kësaj rruge është shumëplanësh. Ajo do të ndihmojë në zhvillimin social – ekonomik të zonës dhe në rritjen e aksesit drejt qendrave administrative, shërbimeve shëndetësore dhe atyre arsimore. Në kuadër të prioriteteve rajonale të zhvillimit të qarkut Korçë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka ndërtuar edhe rrugët Zvezdë – Podgorie dhe Libonik – Rrembec – Plase. Tashmë edhe fermerët e fushës së Korçës e të fushës së Devollit kanë mundësi të tregtojnë prodhimet e tyre bujqësore edhe blegtorale në tregun rajonal të Korçës dhe atë të Bilishtit. Në këto vite në Devoll janë ndërtuar 120 kilometër rrugë, 24 sisteme ujësjellësish e kanalizimesh, 20  shkolla dhe 13 qendra shëndetësore  e  ambulanca. Në Devoll janë investuar 5 milionë euro në vaditje, kanale kulluese dhe subvencione, janë subvencionuar 450 hektarë dru frutorë e vreshta ose 16 herë më shumë se Partia Socialiste në 8 vite dhe kanë përfituar 1310 fermerë e blegtorë. Rrethi i Devollit do të përfitojë së shpejti nga investimet e mëdha. Autostrada dhe tuneli Kërrabës do ta shkurtojë në 2 orë distancën Tiranë – Bilisht. Gazsjellësi TAP do të hyjë në Shqipëri nëpërmjet Devollit dhe do të sjellë hapjen e 5000 mijë vendeve pune, do të sjellë një rrugë të re lidhëse të Devollit – Beratit e Bregdetit dhe gazifikimin e Devollit e të gjithë Shqipërisë. Gjithashtu, në këtë rreth do të përfundojë kompletimi i rrugëve dhe i rrjetit të ujit e kanalizimeve; programi i ri vaditjes; shumëfishimi i subvencioneve dhe kreditimi i agro-përpunimit; mbështetja e fasoneve. Kryetari i komunës Miras tha se kjo rrugë do t’u lehtësoj fermerëve dhe blegtorëve të zonës transportin e prodhimeve në tregun e Korçës dhe të Bilishtit. “I nderuar zoti Kryeministër, kjo është vepra më e madhe dhe më e rëndësishme për ne, por gjatë viteve të qeverisjes tuaj janë ndërtuar shumë rrugë, shkolla, ujësjellës, kanalizime etj., duke ndryshuar kështu për mirë jetën tonë. Ju jemi mirënjohës dhe ju falënderojmë për të gjitha këto ndryshime, të cilat janë edhe një garanci për vepra të tjera që do të ndërtohen në komunën tonë. I ftoj të gjithë banorët të mbështesin programin e Partisë Demokratike, sepse ne kemi nevojë për më shumë vepra, për më shumë mbështetje për fermerët tanë. Ne kemi bindjen e plotë se të gjitha këto në mandatin e ardhshëm të Partisë Demokratike do të bëhen realitet”, tha ai. Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për këtë inaugurim dhe ftoi të gjithë fermerët dhe banorët e kësaj zone që, pavarësisht nga bindjet politike, të votojnë alternativën e Partisë Demokratike. “Pavarësisht nga bindjet politike, uluni dhe arsyetoni me njeri-tjetrin skemën që ne japim paratë në dorë për akcizën e naftës, japim paratë në dorë për TVSH-në e makinerive, farave, fidanëve, plehrave kimike, grantet që do të 3-fishojmë, rrugët që po ndërtojmë, ujësjellësit dhe sistemin e vaditjes. A ka për ju ndonjë mbështetje më të plotë se kjo? Na e thoni në qoftë se ka, por në qoftë se nuk gjeni, votoni këtë projekt, pavarësisht nga bindjet tuaja politike. Ju ftoj juve, fermerëve të Devollit dhe të mbarë Shqipërisë që t’i mendoni këto ditë mirë të dy politikat. Politika jonë është rritje rrogash në 700 dollarë, pensionet tuaja 150 dollarë, rroga minimale në 350 dollarë”- tha kryeministri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›