E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analiza/Rilindja, piramida e fundit e Koços - Rama si Sudja, menaxheri i saj

20-06-2013 / Gazeta 55

“Njëra nga dy pabesitë më të mëdha që i janë bërë këtij populli është ndërtimi i firmave piramidale”. Ky është njëri nga “shpërthimet” më të forta që Zoti Rama pati në emisionin Opinion, përgjatë paraqitjes së programit të Partisë Socialiste përpara një grupi gazetarësh. Ndoshta ishte e rastësishme, por ngandonjëherë rastësitë përkojnë kur është fjala për të dalë në dritë një e vërtetë e madhe. Kështu ndodhi që ky pasazh të shoqërizohej me një tjetër pasazh, besoj tashmë të njohur nga publiku shqiptar (pasi libri ka kohë që është botuar), i librit me titull “Çështja shqiptare” e dy autorëve të njohur si Miranda Viker dhe Xhejms Petifer. Në faqen 6 të këtij libri shkruhet se njëri nga ideatorët dhe arkitektët e firmave piramidale është Z. Koço Kokëdhima me firmën e tij “2K”. Që kjo firmë ishte njëra nga më aktivet e atyre viteve kjo është një gjë e njohur, por na del se aktiviteti i saj shpesh herë i errët, qenka në bazë të idesë dhe arkitekturës së ngritjes së strukturave piramidale që pllakosën Shqipërinë e viteve 96-97. Ne Fier Koçoja njihet si nje prej bashkëpunëtorëve të Hajdin Sejdise. Të gjitha këto, duke pasur për kontur një shoqëri shqiptare ende të pamësuar me demokracinë e vërtetë, me mënyrën e qëndrueshme të të bërit biznes, me ndarjet e pushteteve ekonomikë e politikë, e kështu me radhë, i rritën në një shkallë të konsiderueshme (ashtu siç dhe ndodhi) pasojat e këtyre devijimeve apo praktikave aventuriere ekonomike, për ti shpënë në një rrezik për vetë shtetin dhe demokracinë tonë të brishtë. Koço ka qenë dhe mbetet jo vetëm ideatori por edhe themeluesi e realizuesi it ë gjithë firmave piramidale në Shqipëri dhe njëri nga oligarkët e pasuruar me pronat dhe fondet publike.
“Koçoja i piramidave”…
Koçoja i piramidave ishte faza më e natyrshme, më e sinqertë dhe më e hapur e personazhit Koço në gjithë udhën e zhvillimit që ai zgjodhi të ndikojë në shoqërinë tonë.  Ndaj, kur dëgjojmë të flitet për pabesinë më të madhe ndaj popullit shqiptar, dhe mësojmë që njëri nga arkitektët e kësaj pabesie është sot krahu i djathtë i Edi Ramës në Vlorë, në jetën mendore e në gjithë ecurinë e tij të sotme politike, atëherë kuptojmë se rrënimi për të cilin flet Edi Rama duhet të shpjegojë më parë rrënimin e paimagjinueshëm ekonomik e demokratik që Koçoja i piramidave i solli Shqipërisë. Ja, pse sot teoria e rrënimit e fabrikuar me vite të tërë është thjesht një alibi me të cilën do të mbulohet kjo e shkuar jo shumë e largët e mentorit të tij. Nuk mund të duket aspak i jashtëm ky argument për t’u përdorur si një çelës për të kuptuar mënyrën dhe mekanizmin logjik që shpuri në kandidimin e Koços për deputet. ADN e veprimit të tij strategjik është po ajo e rrënimet të shoqërisë shqiptare me qëllim pasurimin e tij vetjak, pra rilindjen e tij pas një agonie që e ka pllakosur që kur Rama ka humbur bashkinë e Tiranës. Natyrisht që tashmë Shqipëria është zhvilluar në shumë drejtime dhe skema të tilla të ndërhyrjes së “dhunshme” e të rrejshme  përkundër dijeve ekonomike dhe varfërisë së skajshme të individëve të saj, siç ishin ato piramidale nuk mund të përdoren më. Nevojiten forma më të sofistikuara, dredhi më të stërholluara për t’i zhvatur ata.
“Koçoja i Bashkisë së Tiranës”
E ja tek del teoria e biznesmenit të suksesshëm, të fortë e të ditur që ka aftësinë dhe kapacitet të fitojë çdo tender, duke zeruar konkurrencën. Se si mund të ndodhë një fenomen i tillë si “Koçoja i Bashkisë së Tiranës”, që korri për 11 vjet miliona dollarë investime në mënyrë korrekte e të ndershme ligjet e ekonomisë e kanë të vështirë ta shpjegojnë, le më ato morale e njerëzore. E gjitha kjo, mund të quhet vetëm periudha e dytë e rritjes dhe zhvillimit të personazhit Koço në gjirin e kastës më të fortë ekonomike të Shqipërisë. Koco i bashkisë së Tiranë u ushqye me tenderat e dhëna nga Rama duke u shndërruar në një ‘aksioner” politik të Ramës në rrugën drejt uzurpimit të PS.
“Koçoja i modelit të shtypit”
Por Koços për të sulmuar gjitkënd do t’i duhej edhe nje “revolver” mediatik. Një sistem  antikorpesh natyrisht që i duhej, dhe ja ku e gjeti atë në idenë e ndërtimit të një shtypi gjoja të lirë e të pavarur kundra të gjitha padrejtësive të regjimeve qeveritare. Veçse duket qartë ende dhe sot se ai nën kornizën e lirisë dhe një modeli të ri shtypi është në thelb një shtyp i rreshtuar, një media që i shërben vetëm Ramës, një media që sot e bashkuar me bizneset e politikën përbën modelin më të rrezikshëm për vendin dhe demokracinë shqiptare. Aq më tepër që “Koçoja i modelit të shtypit” shfaqet mjaft përbuzës, cinik e gati vulgar me përfaqësues të gazetarisë sonë, madje që kanë milituar në gazetën e tij me vite, si analist i parë (siç ishte rasti i Mustafa Nanos në përballjen me Koçon gjatë një emisioni të paradokohshëm).
“Koçoja i parlamentit”
Mospërfillja e oligarkut Koçoja se ç’mendonte një gazetar si Nano e shumë e shumë të tjerë, është jo vetëm e paimagjinueshme, por parësisht e dëmshme dhe rrezikshme tani që ky oligark është përzierë në politikë, për të sjellë atë model të ri të oligarkisë financiaro-politike që ka disa legjislatura që Edi Rama po i propozon kuvendit shqiptar (përderisa po rritet në çdo legjistaturë numri i miliarderëve të përfshirë në lista). Ja, kjo është faza e fundit e zhvillimit të personazhit, ose ideja e fundit që “Koçoja i parlamentit” kërkon të na servir me këtë lëvizje të tij, pasi si kreu i oligarkisë së majtë, që futet vetë në fushën e betejës, besoj që do të ketë edhe kësaj here një model të ri e inovator.
“Koçoja brenda Partisë Socialiste”
E duke qenë ligj që ADN nuk ndryshon, rrënjët e kësaj lëvizje duhet t’i gjejmë tek Kocoja i parë, ai origjinali, zanafillori po të duam, te “Koçoja i piramidave”. Duke marrë përsëri si ligj fitimin me çdo kusht e të gjitha mjetet ose ruajtjen e fitimeve dhe pasurive të grumbulluara, në kohë të tilla ku zhvillimi dhe transparenca e Shqipërisë ekonomike është rritur, ku tashmë edhe mjaft praktikave korruptive u janë prerë fijet, apo dhe rezervuari më i madh i tenderave të kompanive të tij - që qe Bashkia e Tiranës - është tharë, ai nuk mund të rrinte duarlidhur, por duhet të përfshihej medoemos në politikë për bërë përsëri biznes. Ndryshe nuk kuptohet qartë se ç’është ajo ndjenjë e fortë përgjegjësie për ndryshimin që kërkon t’i sjellë Shqipërisë, një njeri i lodhur dhe i plakur nga hallet e mëdha të biznesit që i ka pllakosur mbi shpinë për tetë vjet regjimi qeveritar i Berishës. Nuk kuptohet se ç’risi e energji pozitive mund t’i sjellë Koçoja parlamentit përveç mllefit dhe përbuzjes së grumbulluar në vite. Koço po ashtu si Rama e urren parlamentin por Koço nuk ka besim te askush, as madje te vete Rama prandaj kërkon të jetë aty brenda në kuvend që të kontrollojë grupin socialist ne kuvend.
“Rilindja, piramida e fundit e Koços”…
Rreziku më i madh që mund t’i kanoset çdo partie është kur ajo zaptohet nga oligarkia mediatiko-finaciaro-politike. Partia në këtë rast kthehet në një sistem piramidal antivlerash dhe amoraliteti, ku udhëheq paraja e dyshimtë, diktati dhe klientelizmi. Ky është skenari  kah së cilës priret të finalizohet kjo fazë e zhvillimit të personazhit Koço brenda partisë socialiste, për të mbyllur kështu një qark të gjithë jetës së tij nga Koçoja i piramidave te Koçoja i partisë së piramidave të antivlerave. Për vetë rolin, vendin dhe pozicionin që Partia socialiste zë në shoqërinë dhe historinë Shqiptare, do të qe jo vetëm e rrezikshme, por e dënueshme me të gjitha mjetet, nëse një gjë e tillë nuk do të frenohej të ndodhte. Është detyre jo vetëm e socialistëve por edhe kombëtare që të ndalohet të ndodhe ky shkatërrim që do të përfshinte të gjithë sistemin politik të vendit. Të gjithë duhet të angazhohen që Rama i paditur dhe Koçoja i lodhur e i vrarë nga “padrejtësitë” e shumta të jetës (ku ka arritur të grumbullojë rreth 200 milionë dollarë) të mos arrijnë të përmbushin këtë cikël të rrezikshëm të ambicies së tyre. Partia socialiste duhet të mbrohet patjetër nga vetvetja, sepse e gjitha kjo është veç një fazë e saj, ajo duhet të jetojë përherë si një pjesë e shëndetshme e demokracisë shqiptare, për t’i  përkitur të gjithë atyre që e duan, jo atyre që e duan për ta përdorur. Por kjo e keqe që ka shkatërruar PS nuk mund të ndalet më vetëm nga vetë socialistët, ajo kërkon një ndërgjegjësim dhe angazhim të të gjithë shqiptarëve. 23 qershori është moment i duhur që Rama të deklarojë “Dola piramidë”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›