ANALIZË – SHBA nuk do të bashkësponsorizojë mocionin e OKB-së që mbështet Ukrainën

LONDËR, 20 shkurt /ATSH/- SHBA-ja po refuzon të bashkësponsorizojë një projektrezolutë të OKB-së që shënon tre vjet nga pushtimi rus në Ukrainë – që mbështet integritetin territorial të Kievit dhe dënon agresionin rus, sipas “Reuters”.
Hapi duket se pasqyron një përçarje në zgjerim midis presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentit të SHBA-së Donald Trump – i cili po përpiqet t’i japë fund me shpejtësi luftës në Ukrainë dhe ekipi i të cilit ka zhvilluar bisedime me Rusinë pa përfshirjen e Kievit.
Mosmarrëveshja është një krizë e madhe politike për Ukrainën, e cila ka përdorur ndihma ushtarake amerikane me vlerë dhjetëra miliarda dollarë – nën administratën e mëparshme amerikane për të përballuar pushtimin e Rusisë dhe gjithashtu ka përfituar nga mbështetja diplomatike.
Projektrezoluta për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, dënon agresionin rus dhe rikonfirmon angazhimin për sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.
Në vitet e mëparshme, SHBA-ja ka bashkësponsorizuar vazhdimisht rezoluta të tilla në mbështetje të një paqeje të drejtë në Ukrainë.
Sipas një burimi diplomatik, rezoluta po sponsorizohej nga më shumë se 50 vende, duke mos i identifikuar ato.
Rusia ka pushtuar ngadalë, rreth 20% të territorit të Ukrainës dhe në mënyrë të qëndrueshme po avancon në lindje.
Moska tha se operacioni i saj special ushtarak, i ishte përgjigjur kërcënimit ekzistencial të paraqitur nga kërkesa e Kievit për anëtarësim në NATO.
Ukraina dhe Perëndimi e quajnë veprimin e Rusisë një “grabitje toke imperialiste”.
SHBA-ja ka bashkësponsorizuar pothuajse të gjitha rezolutat e OKB-së në mbështetje të Ukrainës kundër Rusisë – gjatë gjithë konfliktit më të madh në tokën evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore.
Nuk është e qartë se kur përfundon afati për të mbështetur projektrezolutën dhe Uashingtoni mund të ndryshojë ende mendje.
Votimi i OKB-së, mund të vazhdojë pa mbështetjen e Uashingtonit, por mund të ketë më pak gjasa të fitojë mbështetje të gjerë në Asamblenë e Përgjithshme.
Një burim i dytë diplomatik i cili gjithashtu kërkoi anonimitetin tha: “Për momentin, situata është se SHBA-ja nuk do ta nënshkruajnë atë.” //a.i/