“Farmacia e Saimir Tahirit, 70 mijë euro borxh shtetit shqiptar”

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu reagon në Facebook
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, u shpreh sot se firma farmaceutike “Sat Farma”, e regjistruar në emrin e Luiza Tahiri, mamasë së deputetit socialist Sajmir Tahiri, i ka 70 mijë dollarë borxh shtetit shqiptar, nga mospagimi i taksave. “Në emisionin ‘Opinion’ në muajin nëntor, i bëra me dije publikut abuzimet dhe kontrabandën e ilaçeve që bën firma farmaceutike ‘Sat Farma’, e regjistruar në emrin e Luiza Tahirit, mamasë së deputetit socialist Sajmir Tahiri. Me fakte në duar, të cilat dëshmojnë se kjo firmë i ka 70 mijë dollarë borxh shtetit shqiptar, nga mospagimi i taksave, i kërkova publikisht prokurores së asaj kohe të mos e lërë në harresë çështjen e ngritur dhe të dërguar për ndjekje penale nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, për kontrabandën me ilaçet të familjes Tahiri!”, shkruan ministrja Bregu në faqen e saj në rrjetin social “Facebook”. “Ligji, vijon Bregu, duhet të zbatohet për këdo, që me fakte vërtetohet se e shkel atë!” “Faktet dhe jo thashethemet e fabrikuara në dhomën e ndenjes së Edi Ramës në PS, të çojnë para ligjit! Kjo është arsyeja pse PD propozoi dhe bëri të mundur heqjen e imunitetit për zyrtarët e zgjedhur, pavarësisht kundërshtimeve të z.Rama! Ja kush kërkon rilindje e pengon integrimin!”, shkruan Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.