E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Deklaratat e Ramës të pabaza, vijnë nga paniku i humbjes së zgjedhjeve”

23-06-2011 / Gazeta 55

PD, Jorida Tabaku

Kryesuesja e listës së kandidatëve për këshilltarë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Jorida Tabaku, akuzoi dje përmes një konference për shtyp kryetarin e PS-së, Edi Rama se është i vetmi person që sulmon një gjykatë edhe kur ajo ka dhënë një vendim në favor të tij.
“Të gjithë qytetarët e kuptojnë se dëshpërimi i zotit Rama ka arritur në një nivel të ri. Është e qartë se ai ka humbur gjithë shpresat që më shumë qytetarë të kenë votuar për të, edhe pse ka ende vota për t’u numëruar. Ndaj Edi Rama është në panik”, theksoi përfaqësuesja e PD-së për Bashkinë e Tiranës, Tabaku.
Edi  Rama mund të nxjerrë sa njerëz të dojë dhe të akuzojë sa të dojë, por kjo nuk i bën të vërteta akuzat e tij absurde, shtoi Tabaku. Më tej ajo vuri në dukje se procesi zgjedhor ka qenë i lirë, i ndershëm dhe transparent dhe të gjithë shqiptarët e kanë parë atë drejtpërdrejt në ekranet e tyre. Më tej përmes kësaj deklarate për mediat përfaqësuesja e selisë blu për bashkinë e Tiranës, Tabaku cilësoi gjithashtu se demokracia nuk i përket partive por qytetarëve.
“Ditë e re, avaz i vjetër”, tha Tabaku.
Duke shtuar se edhe një herë dëgjuam sot akuzën e vjetër, të ricikluar, të lodhur dhe komplet absurde.
“Kur do ta mësojë zoti Rama se demokracia nuk i përket partive politike, por qytetarëve. Kur do ta mësojë zoti Rama se vjedhje e zgjedhjeve, është të mos numërosh votat. Kur do ta mësojë zoti Rama se farsa e vërtetë do të ishte një demokraci ku nuk dëgjohet zëri i çdo qytetari. Kur do ta mësojë zoti Rama se është e papërshtatshme të kërcënosh institucionet e pavarura, ndërsa gjithë komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar të respektohet vendimi i Kolegjit Zgjedhor”, drejtoi publikisht pyetjet, kryesuesja e listës së kandidatëve për këshilltarë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Tabaku.
“Ne e dimë që Edi Rama është i zënë me fushatën e tij për të qëndruar kryetar i PS-së, dhe është aq i zënë sa nuk ka kohë të lexojë vendimet e gjykatës, ose të shohë procesin drejtpërdrejt në ekran. Megjithatë, ne shpresojmë që ai të gjejë kohën dhe kurajon t’u rrëfejë shqiptarëve se, përse ai nuk dëshiron të numërohet çdo votë, dhe përse ai nuk dëshiron të dëgjohet zëri i çdo qytetari?”, përfundoi këtë deklaratë, Jorida Tabaku.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›