Letra/ Nga “E duam votën tonë” tek “nuk e duam votën tonë”
“Të jesh apo të mos jesh?” kjo është çështja që shtrohet sot në Shqipëri. Ky është një problem i madh që vë në vështirësi çdo shqiptar të ndershëm. Për më shumë se dy vjet, ditë për ditë, propaganda socialiste këmbëngulte që të numërohet çdo votë, që vota e çdo shqiptari të respektohet. Kemi parë protesta paqësore dhe të dhunshme, deri atje arriti kjo Parti Socialiste sa të bënte skenarë të dhunshëm me parashikime gjakderdhjeje dhe viktima. Këtë e bëri vetëm e vetëm që t’i thoshte popullit se vota e tyre nuk është numëruar fare ose nuk është numëruar drejt. Grupe protestuesish me parulla në duar ku shkruhej: “Duam votën tonë” marshonin në gjithë Shqipërinë dhe sidomos në Tiranë. Ndokush edhe i besonte këto veprime të dyshimta, të tjerët e kuptonin që ishte mashtrim. Ata që e besonin e bënin ose për interes, ose për idealizëm. Por një gjë ishte e qartë: Kërkohej të numërohej vota popullore. Me këtë jemi në rregull. Por çfarë po bën sot propaganda socialiste? Po mohon vetveten. Nga parulla “Duam votën tonë” po nxjerr në treg parullën tjetër: “Nuk e duam votën tonë”. Po protestuesve çfarë do t’u thonë këta organizatorë të protestave? Ose më qartë, çfarë parulle do t’u japin në duar gjatë protestave? Me çfarë slogani do zëvendësohet parulla “E duam votë tonë”? Me siguri që parulla “Nuk e duam votën tonë” nuk do pranohet nga protestuesit. As edhe nga ata më idealistët. Pra, janë vënë në vështirësi si organizatorët edhe protestuesit. Por Edi me shokë kanë nxjerrë nga sirtari terma të tjerë; manipulim të votës. Megjithëse kjo është një gënjeshtër me bisht që nuk e beson njeri për të vetmen arsye se e shohin që çdo votë po numërohet duke u kaluar nëpër duar të gjithë numëruesve, përfaqësues këta socialistë apo demokratë. Megjithëse duket si në dritën e diellit grupi Rama nuk e pranon sepse nuk do të zbatojë asnjë rregull loje në qoftë se ai nuk del fitues. Dhe konkretisht: Fituesin dhe humbësin e cakton një komision ose në lojë është arbitri kurse Edi u vetëquajt fitues pa mbaruar loja, pa thënë ndonjë përfundim komisioni apo arbitri. Me këtë veprim Rama i thotë komisionit ose arbitrit që ta përfundojë lojën që kur Rama bëri gol, pavarësisht se kjo është minuta e tetëdhjetë e lojës. Por dale, more shokë, loja nuk ka mbaruar akoma. Siç duket për Edin nuk ka rregulla loje, nuk ka ligje. Ai ose fiton, ose shkatërron Shqipërinë. Tani u bë e qartë se ky grup udhëheqësish socialistë nuk do drejtësi dhe ndershmëri, nuk duan të numërohen votat popullore me rregull sepse kanë frikë nga e vërteta, kanë frikë nga humbja. Një pyetje që nuk i është bërë akoma Edi Ramës deri sot është: Çfarë do të thotë Rama në qoftë se në fund të numërimit të votave del ai fitues, sepse ka mundësi që edhe Rama të fitojë për deri sa janë akoma qindra kuti pa u numëruar dhe diferenca është 70-80 vota. Supozojmë se në fund të numërimit Rama del fitues. Çfarë do thotë ai? Do u kërkojë falje Kolegjit zgjedhor dhe KQZ-ës për atë baltë që po i hedhë për ditë në mediat e tij? Çfarë do u bëjë shantazheve, sharjeve dhe ofendimeve që ai shkroi në letrën e hapur? Të themi të drejtën letra e hapur ishte kopjuar nga diktatori Hoxha sepse ishin të ngjashme. Por ndryshonin se Hoxha u bënte shantazh imperializmit amerikan dhe revizionizmit sovjetik kurse Rama u bën shantazh dhe presion drejtësisë shqiptare duke nënkuptuar: Ose ai fitues ose Shqipëria digjet. Hoxha kritikonte të huajt kurse Rama institucionet e pavarura shqiptare duke u thënë se “Ose unë fitues ose Shqipëria nuk ka qetësi”. Të shkretët shqiptarë ç’po vuajnë. Nuk mjafton fukarallëku i Enverit por tani edhe sherret dhe protestat e Ramës për pushtet, të cilin e kërkon me dhunë dhe jo me drejtësi dhe ligje. Është vështirë të kuptosh qëllimin e vërtetë të kësaj politike. Nuk e kuptojmë: Do që të numërohet apo të mos numërohet vota? Do të ketë shtet ligjor apo anarki? Do të miratohen ligje në parlament për të mirën e popullit apo do që të vazhdohen bojkotet sepse nuk fitoi Rama. Do që të futet Shqipëria në Evropë apo të sabotojë duke përbaltur përditë Shqipërinë? Nga kjo politikë nuk fiton Shqipëria, nuk fiton populli, nuk fiton demokracia, nuk fiton as vetë Rama dhe as militantët e tij. Por dihet mirë se ka një humbës dhe kjo është Shqipëria, është populli shqiptar. Në vend që të bashkuar të gjitha energjitë t’i harxhojnë për të përmirësuar ekonominë, të përmirësojnë mirëqenien e shqiptarëve dhe rritjen e autoritetit të Shqipërisë në Evropë merret vetëm me interesin e Ramës për t’u bërë kryetar. Po merret vetëm duke hartuar skenarë lufte për pushtet. Luftë për një pushtet të pamerituar, për një pushtet të marrë me dhunë, për një pushtet që buron nga gryka e pushkës si në kohën e Enverit. Ethet për karrigen e kryetarit të bashkisë ose të shtetit e kanë kthyer politikën e Edit në luftë kundër institucioneve, kundër shtetit ligjor, kundër popullit shqiptar. Me përbaltje, shantazhe, presione, anarshi, dhunë, nuk fiton kurrë respekt dhe as pushtet. Kjo rrugë të çon vetëm në humbje. Humbjen më të madhe e ndjen Shqipëria, e ndiejnë shqiptarët që nuk e meritojnë. Dhe pse? Se lufta për pushtet është vënë në plan të parë nga Rama me disa shokë.
...