Pasaportat biometrike, arrin në 2 milionë numri i aplikuesve
TIRANË Zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, informoi dje përmes një deklarate për shtyp se dy ditë më parë në mesditë është kryer aplikimi i dymiliontë për pasaportë biometrike. “Kemi arritur në 2 milionë aplikime për pasaporta biometrike, janë prodhuar nga kompania “Aleat” 1 970 000 pasaporta dhe janë tërhequr nga qytetarët 1 920 000 pasaporta. Kjo është një arritje e konsoliduar për procesin e integrimit europian në tërësi dhe në veçanti për standardet që mundësuan lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen” ,- tha zv.ministri Poni. Ai informoi gjithashtu se deri më tani janë kryer 2 847 000 aplikime për letërnjoftime elektronike, nga të cilat janë prodhuar 2 824 000 dhe janë tërhequr nga qytetarët 2 679 000. Zv.ministri i Brendshëm u shpreh se kompania koncesionare “Aleat” ka vënë në dispozicion kapacitete prodhuese të atilla që përballojnë lehtësisht fluksin e aplikimeve nga qytetarët. Javën e fundit ka pasur 21 mijë aplikime për pasaporta, kur kapaciteti prodhues javor është 40 mijë.