Berisha: Vargjet e Pipës që ia sugjerova Ramës u ngatërruan
TIRANË Kryeministri Sali Berisha u dërgoi dje një letër sqaruese drejtuesve të disa të përditshmeve shqiptare, duke sqaruar se vargjet e Arshi Pipës që i sugjeroi për lexim dy ditë më parë rivalit të tij politik Edi Rama, nuk janë ato që janë përzgjedhur e botuar dje nga shtypi i shkruar. “Me këtë letër dua t’ju garantoj se vargjet që ju citoni në gazetat tuaja nuk janë absolutisht asnjeri nga dy vargjet që unë përzgjodha dhe i sugjerova zotit Rama për t’i lexuar si përgjigjen time ndaj letrës së tij. I bindur se gazetarët në veprën e Pipës "Stalinizmi Shqiptar" do të përzgjidhnin sipas shijeve të tyre vargje të tjera nga ato që unë kisha ndërmend, dje iu luta atyre që ata të mos i lexonin dhe të mos u referoheshin fare vargjeve të librit në fjalë. Meqenëse këtë kërkesë nuk e keni marrë parasysh, unë njerëzisht ju lutem juve, të botoni në gazetat tuaja këtë sqarim timin”, shkruan Berisha në letrën e hapur.