Deklaratë për shkëputje në veri të Mitrovicës
Serbë të veriut kanë përgatitur një deklaratë me të cilën synohet shpallja e pavarësisë së territoreve serbe nga Republika e Kosovës. Iniciativa serbe ka alarmuar liderë të Kosovës dhe të gjithë praninë ndërkombëtare. Sekretari Shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanovic ka konfirmuar faktin se ekziston një deklaratë e tillë, por e quan joserioze dhe pa mbështetje nga Beogradi. kjo deklaratë ka mbajtur në tension të martën udhëheqësit shtetëror të Kosovë, ambasadorë dhe diplomatë tjerë të Quintit, KFOR'in, EULEX'in, ICO'në si dhe struktura tjera ndërkombëtare.
Spekulimet e shfaqura para disa ditëve se në Veri të Kosovës ishte hartuar një deklaratë për pavarësinë e territoreve serbe nga Republika e Kosovës, janë konfirmuar të martën. Struktura ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë arritën të sigurojnë një kopje të kësaj letre pesëfaqëshe, e shkruar në gjuhën serbe.
Përmbajtja e saj detyroi përfaqësues të KFOR-it dhe diplomatë të vendeve anëtare të Quintit që të kërkojnë takim urgjent me presidentin Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrin Hashim Thaçi. Takimet janë mbajtur në Presidencë, pa praninë e mediave. ekspres raporton se në mesin e faqes së parë të letrës ndodhet fjala "Deklaratë", të cilën do të duhej ta aprovonte Kuvendi i Bashkësisë së Komunave të Kosovës dhe Metohisë. Kjo strukturë është themeluar më 28 qershor, 2008, në Zveçan, me iniciativë të ish-ministrit serb Slobodan Samardzic, një bashkëpartiak i ish-kryeministrit Vojislav Kostunica. "Si shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve serbë, Kuvendi aprovon deklaratën e pavarësisë së territoreve të komunave që përbëjnë lidhjen e komunave të krahinës autonome të Kosovës nga krijesa të cilën krijuesit e saj e quajnë Republika e Kosovës", thuhet në tekstin e deklaratës.
Kjo në praktikë do të thotë krijim i një lloj Kosove paralele serbe. Autorët e panjohur të kësaj deklarate nuk kërkojnë shkëputje nga Kosova "për aq kohë sa krahina e Kosovës është pjesë e Serbisë sipas ligjit ndërkombëtar".
është fakt i pamohueshëm se Kosova nuk është ndarë nga Serbia me Rezolutën 1244, thuhet në vijim të deklaratës.
Deklarata njeh vetëm ligjet dhe rregulloret e aprovuara nga struktura ndërkombëtare sipas Rezolutës 1244 dhe që nuk bien ndesh me sistemin juridik të Serbisë. I jepet përkrahje Serbisë për përpjekjet për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial në Kosovë", vazhdon deklarata.
Në pjesë e konsiderueshme e tekstit është shkruar me gjuhë urryese të kohës së Milosevicit. Në tekst thuhet se Republika e Kosovës është shtet i krijuar nga gjenocidi ndaj joshqiptarëve. Diku tjetër në tekst Republika e Kosovës quhet si "krijesë gjenocidale". Flitet për "terror, dhunë, spastrim etnik,...mbi serbët dhe joshqiptarë tjerë".
Kërkohet pjesëmarrja e një delegacioni të serbëve të Krahinës në të gjitha bisedat për Kosovën.
Deklarata nuk është e nënshkruar, nuk ka as datë, por është lënë hapësira që data të vihet ditën e aprovimit.
Burime të gazettes ekspres thonë se kjo deklaratë nuk ka mundësi të jetë hartuar e gjitha në Mitrovicën veriore nga liderë serbë lokalë. Diplomatë perëndimorë besojnë se autor mund të jenë anëtarë nga partia e Vojislav Kostuncës, Partia Socialiste e Serbisë (SPS) e Ivica Dacic, por edhe nga zyrtarë të pushtetit të Boris Tadic. Ndryshe, SPS është pjesë e koalicionit qeveritar në Serbi dhe ministri Dacic ka deklaruar disa herë se edhe serbët kanë të drejtë të ndërmarrin "hapa të njëanshëm si shqiptarët".
Burime të tjera këmbëngulin se autorë të tekstit janë politikanë radikalë me dosje kriminale si Milan Ivanovic, Marko Jaksic dhe të tjerë.