Thaçi: Nuk do lejojmë vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar një letër përfaqësuesit special të BE-së në Kosovë, Peter Feith, duke e njoftuar se qeveria e Kosovës nuk do t'i lejojë vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë, për shkak të provokimeve politike që janë shkaktuar nga këto vizita deri më tani. Në letër, së cilës i referohen edhe agjensitë rajonale të lajmeve, Thaçi ka njoftuar se Goran Bogdanoviçit nuk do t'i lejohet vizita në Kosovë, e kërkuar për në datën 19 gusht. "Kam vendosur të pezulloj të gjitha kërkesat tjera të zyrtarëve të qeverisë së Serbisë që planifikojnë të vizitojnë Kosovën, për shkak të dështimit të tyre të vazhdueshëm që të veprojnë në bazë të rregullave dhe procedurave për vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë", thuhet në letrën e nënshkruar nga kreu i qeverisë së Kosovës.
Ndër të tjera Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka hedhur poshtë kategorkikisht mundësinë e bisedimeve për statusin e Kosovës apo për autonomi politike të rajoneve të banuara me shumicë serbe. "Ne do të përfundojmë zbatimin e Planit të Ahtisaarit, duke përfshirë garancitë e saj shumë të gjera për mbrojtjen e të drejtave të pjesëtarëve të të gjitha grupeve etnike në Kosovë", shkruan kryeministio kosovar. Ai ka shprehur gatishmërinë e Prishtinës për fillimin e bisedimeve me Beogradin për çështje praktike, me interes për popujt e të dy vendeve. Thaçi shkruan se Kosova mund të ulet me Serbinë për të diskutuar për çështjet praktike, por "nuk do të diskutojmë për statusin e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, për integritetin territorial të Kosovës, apo krijimin e rajoneve të reja autonome brenda kufijve tanë".