Deklaratë për shtyp e MBUMK për çmimet e drithërave
Segmentet mafioze në tregun e miellit dhe drithërave, pasi ndikuan vetëm për një javë ta pështjellonin situatën me rritje artificiale çmimesh, morën përgjigjen nga rregullat e tregut.
Por ditë pas dite këto segmente mafioze sponsorizojnë bllofe mediatike për të krijuar alarme të rreme dhe për të ndërtuar akuza sipas modeleve të mafies që humb çdo ditë pushtet.
Është bërë i njohur tashmë fakti se prej më se një viti janë rritur gradualisht çmimet e drithërave të bukës në tregjet ndërkombëtare. Rritja e çmimeve të drithërave ka prekur pothuaj gjithë botën.
Si të tjerët, edhe qeveria shqiptare e ka ndjekur, vëzhguar e monitoruar në vazhdimësi këtë fenomen. Dhe sot konstatohet një përfundim i verifikuar se në Shqipëri nuk është shqetësimi i parë rritja e çmimit të grurit, por financimi e sponsorizimi i panikut të bukës e të çmimeve në përgjithësi.
Vendi ynë, zyrtarisht në bazë të statistikave që kemi ne, nuk ka njohur deri sot, që nga vjeshta e 2007, rritje të çmimit të drithërave nga importi. Ndërsa blerja e grurit për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2007, sipas të dhënave të publikuara dje nga ACIT, rezulton e tillë : Janë blerë gjithsej 292 283 ton me çmim 258 dollarë për ton. Fushata e sponsorizuar për rritjen artificiale të çmimit të bukës nuk qe jetë gjatë. Falsifikimi doli në dritë të diellit dhe shteti do të merret me panikmbjellësit. Burimet zyrtare në dogana deklarojnë se nga nëntori 2007 nuk ka importuar kush grurë me çmim më të rritur. Referencat për grurin në dogana janë si më parë.
Gruri nga Argjentina zhdoganohet me 320 dollarë për ton që prej 5 muajsh, gruri që vjen nga Rusia e ka referencën 315 dollarë toni dhe ai që importohet nga vendet e BE ka referencë 285 dollarë për ton. Me çmimin 220 dollarë për ton zhdoganohet gruri që vjen nga Ukraina nga ku edhe merren sasitë më të mëdha nga importuesit shqiptarë.
Vendet e Bashkimit Evropian dhe vendet e tjera prodhuese të mëdha kanë vendosur shtimin e sipërfaqeve të mbjella me grurë. Vendet e BE-së kanë njoftuar zyrtarisht se kanë hequr kuotat e sipërfaqeve të mbjella me grurë. Mjaft vende kanë hequr dorë nga mbjellja e drithërave për karburant.
Nisur nga konjokturat e tregut të drithërave edhe fermerët tanë në këtë vjeshtë e kanë shtuar sipërfaqen e mbjellë me grurë në masën 15 për qind.
Paniku i përhapur dhe i sponsorizuar nga mafia e miellit, përpiqet të krijojë kaos në treg. Pazaret e segmenteve mafioze të miellit e bukës ia arritën që të krijojnë pështjellim për rreth dy javë por përsëri u kthye normaliteti.
Rexhep Shahu
Zedhenes Shtypi ne MBUMK
Tirane, me 28 shkurt 2008