E Shtunë, 31 Tetor 2026

VENDIM PËR TRAJTIMIN E PUNONJËSVE, QË DALIN TË PAPUNË NGA PROCESI I RISTRUKTURIMIT “ARMO”, SHA-SË, TIRANË, DHE “ALBPETROL”, SHA-SË, PATOS

V E N D I M


PËR

TRAJTIMIN E PUNONJËSVE, QË DALIN TË PAPUNË NGA PROCESI I RISTRUKTURIMIT “ARMO”, SHA-SË, TIRANË, DHE “ALBPETROL”, SHA-SË, PATOS


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 58, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Punonjësit e Armo, sha-së, Tiranë, dhe Albpetrol, sha-së, Patos, që dalin të papunë, si pasojë e ristrukturimit, përveç trajtimeve, që parashikohen nga Kodi i Punës, përfitojnë, për një periudhë njëvjeçare, pagesë me pagë bruto mesatare mujore individuale (pagë bazë+vjetërsi), të vitit të fundit të punës. Në përfundim të kësaj periudhe, punonjësit kanë të drejtë të aplikojnë për të ardhurën nga papunësia.

2. Periudha, gjatë së cilës këta persona do të marrin pagesën e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, njihet periudhë sigurimi, për efekt të përfitimit të pensionit të pleqërisë, të invaliditetit dhe atij familjar, kundrejt pagesës së kontributit, në fondin e sigurimit të detyrueshëm shoqëror, nga Armo, sha-ja, Tiranë, dhe Albpetrol, sha-ja, Patos. Periudha e mësipërme e pagesës të shënohet në librezën e punës.

3. Përfitojnë nga ky vendim të gjithë punonjësit aktualë të Armo, sha-së, Tiranë, dhe Albpetrol, sha-së, Patos, që kanë qenë të punësuar në këto shoqëri për një periudhë jo më pak se 2 vjet pa ndërprerje, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

4. Të drejtën e trajtimit, në përputhje me këtë vendim, e përfitojnë ata punonjës, të cilët nuk zhvillojnë veprimtari ekonomike, në formën e punësimit apo të vetëpunësimit. Në rast të kundërt u ndërpritet kompensimi, që përfitojnë sipas këtij vendimi.

5. Fondi prej 376 000 000 (treqind e shtatëdhjetë e gjashtë milionë) lekësh, i llogaritur për 606, punonjësit që dalin të papunë nga ristrukturimi i “Armo”, sha, dhe fondi prej 372 200 000 (treqind e shtatëdhjetë e dy milionë e dyqind mijë) lekësh, i llogaritur për 1 100 punonjësit, që dalin të papunë nga ristrukturimi i “Albpetrol”, sha-së, të përballohen, përkatësisht, nga likuiditetet e këtyre shoqërive.

6. Pagesat e punonjësve të bëhen nga zyrat e punësimit në rrethet përkatëse.

7. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për nxjerrjen e udhëzimit përkatës dhe zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›