Qeveria, e gatshme të rrisë fondin për garantimin e eksporteve
-Kryeministri Berisha tha se qeveria mbetet e angazhuar për uljen në maksimum të kostove të biznesit
Kryeministri Berisha mori pjesë sot pasdite në aktivitetin e organizuar nga Agjencia Shqiptare e Biznesit dhe Investimeve (ALBINVEST) dhe Ministria e Ekonomisë, ku u promovuan rezultatet e Projektit “Skema e Grandit për Ndarjen e Kostove” dhe fillimi i zbatimit të “Fondit të Garantimit të Kredive për Eksport”.
Duke përgëzuar “ALBINVEST”-in dhe Ministrinë e Ekonomisë për realizimin me sukses të këtyre dy projekteve, Kryeministri u shpreh se qeveria është e gatshme të shtojë financimin e këtyre dy fondeve në përputhje me rritjen e suksesit të tyre.
“Dua të siguroj ALBINVEST”-in se qeveria është e gatshme të rrisë financimin e këtyre dy fondeve në përputhje me rritjen e suksesit të tyre. Ne jemi të gatshëm ta mbështesim plotësisht funksionimin sa më të mirë dhe sa më të fuqishëm të këtyre dy fondeve shumë të rëndësishme”, u shpreh Kryeministri.
Më tej, Kryeministri Berisha tha se qeveria mbetet e angazhuar për lehtësimin e mëtejshëm të barrës fiskale për biznesin dhe se gjatë këtij viti do të krijohet sistemi “One Stop Shop” për liçensat dhe lejet e ndërtimit.
“Qëllimi ynë është ulja në maksimum e kostove për biznesin, pra duhet të kemi një barrë fiskale sa më të lehtë për ta. Gjatë këtij viti do të krijohet “One Stop Shop” për liçensat dhe lejet e ndërtimit. Nëse do të lexoni se sa zgjat procedura e marrjes së një leje ndërtimi në Shqipëri, është një proçes vuajtjesh të pa konceptueshme. Por, shumë shpejt me ligjin e ri, pavarësisht nga çmimi, do të përcaktohen afate jo vetëm në ndërtimin por dhe për shumë procedura të tjera”, tha Kryeministri.
Fondi Shqiptar i Konkurrueshmërisë prej 25.000.000 lekë për financimin e “Skemës së Grandit për Ndarjen e Kostove”, dhënë nga qeveria shqiptare në ndihmë të Ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme eksportuese, tashmë ka përmbyllur fazën e parë të vitit 2007.
Ndër të tjera Kryeministri u shpreh:
“Së pari, dua të përgëzoj “ALBINVEST”-in dhe Ministrinë e Ekonomisë për punën dhe përkushtimin me të cilat arritën realizimin e këtyre dy projekteve. Projekti i parë lidhet me mundësinë për të konkurruar për sipërmarrjen e shqiptarëve, ndërsa i dyti me mundësinë e tyre për të patur marrëdhënie me bankat e vendit dhe banka të vendeve të tjera.
Këto marrëdhënie janë të domosdoshme për sipërmarrjen e eksportit, për të përballuar dhe rritur vëllimin e punëve të tyre, për të fuqizuar eksportin shqiptar dhe për ti shndërruar ato nga ndërmarrje me fason në eksportues tërësisht shqiptar. Këto dy fonde u krijuan në saj të një dialogu të gjerë me biznesin.
Unë dua të falënderoj edhe donatorët që kanë kontribuar në realizimin e këtyre projekteve dhe të siguroj “ALBINVEST”-in se qeveria është e gatshme të rrisë financimin e këtyre dy fondeve në përputhje me rritjen e suksesit të tyre. Ne jemi të gatshëm të mbështesim plotësisht funksionimin sa më të mirë dhe sa më të fuqishëm të këtyre dy fondeve shumë të rëndësishme.
Në anën tjetër, dua të theksoj se qeveria është e vendosur të ndërmarrë çdo masë dhe çdo vendim për të zgjeruar liritë ekonomike, krahas lirive të tjera në këtë vend. Qeveria po shqyrton në kuadrin e task-forcës së reformës rregullatore një seri masash të tjera, nga ky stacion ku kemi arritur, të cilat i japin lirisë së biznesit dimensione të reja në të gjitha aspektet.
Qeveria dhe biznesi, dy partnerë pazgjidhshmërisht të lidhur, duhet të kenë vetëdije të plotë se çdo hap drejt lirive më të mëdha është rruga më e sigurt e zhvillimit dhe fuqizimit të suksesshëm.
Ne do të bëjmë çdo përpjekje për të lehtësuar barrën burokratike mbi biznesin. Në këtë kontekst procedurat online janë një lehtësi e madhe por që duhet të përsosen më tej.
Sot unë po lexoja një material për një vend që ka instaluar dhe ka ardhur në moshën digjitale me biznesin por e kishte 100 euro regjistrimin e biznesit, ndërsa në Shqipëri është një euro.
Ekziston një problem me Dhomat e Tregtisë për pagesat e regjistrimit, i cili duhet të ridimensionohet. Shpresojmë të shkojnë drejt 1 euro në mënyrë që të mos ketë më ndërhyrje ligjore.
Qëllimi ynë është ulja në maksimum e kostove për biznesin. Pra, duhet të kemi një barrë fiskale sa më të lehtë për biznesin. Gjatë këtij viti do të krijohet sistemi “One Stop Shop” për liçensat dhe lejet e ndërtimit. Nëse do të lexoni se sa zgjat procedura e marrjes së një leje ndërtimi në Shqipëri, është një proces vuajtjesh të pa konceptueshme.
Por, shumë shpejt me ligjin e ri, pavarësisht nga çmimi, do të përcaktohen afate jo vetëm në ndërtim por dhe për shumë procedura të tjera.
Po punohet për të thjeshtuar sistemin fiskal të vendit. Tani ne kemi vendosur taksat me të ulëta, kemi barrën fiskale më të ulët në Evropë por do të shkojmë sistemit fiskal më të thjeshtë. Ekspertët po punojnë në këtë drejtim.
Reformat janë si rrathët e ujit, shkojnë gjithnjë duke u zgjeruar dhe duke kërkuar hapësira të reja.
Unë, duke përgëzuar dhe një herë “ALBINVEST”-in për punën e mirë që ka bërë për konkretizimin e këtyre dy projekteve, duke falënderuar donatorët për kontributin e tyre, siguroj biznesin se qeveria do të ndërmarrë gjatë këtij viti një seri hapash të tjerë të cilët do të kenë qëllim kryesor zgjerimin e lirive për biznesin. Në këtë kontekst zgjerimi i lirive për biznesin është leva e Arkimedit për të ecur më shpejtë përpara.
Ekonomia shqiptare është një dinamike e re, entuziaste dhe optimiste. Kemi një ekonomi me rritje prej 6 përqind, një ekonomi që shënoi një rritje prej 36 % të produkteve “Made in Albania” drejt Bashkimit Evropian dhe një rritje prej 18 përqind të eksporteve në tërësi. Ekonomia shqiptare është një ekonomi me kërkesë të madhe për kreditim dhe një ekonomi që po punëson çdo ditë e më shumë shqiptarë.
Ne jemi të vendosur të ecim përpara me shpejtësi. Këtë vit do të bëjmë hapa shumë të mëdha në moshën digjitale, në procesin e privatizimit dhe në reformën e ‘derregullimit’ të tregut. Është më e drejtë ta quajmë derregullim pasi jemi të vendosur të mos ndërhyjmë në tregun dhe sektorin privat, por ta respektojmë atë dhe ti krijojmë të gjithë mundësitë e funksionimit të lirë të tij”.