E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet Presidentin e Gjeorgjisë z. Mikhail Saakashvili, me rastin e rizgjedhjes në postin e Presidentit

Në këtë mesazh, Kryeministri shkruan:

“Më lejoni t’ju përgëzoj përzemërsisht për fitoren Tuaj në rizgjedhjen President i Gjeorgjisë, si një fitore e demokracisë në Gjeorgji dhe në Europë.

Kjo fitore është dëshmi e mbështetjes së popullit gjeorgjian për lidershipin dhe reformat tuaja, është dëshmi e qartë e vokacionit perëndimor të Gjeorgjisë. Në mënyrë të veçantë, procesi i rregullt dhe i ndershëm elektoral i këtyre zgjedhjeve qe një tjetër arritje në forcimin e demokracisë dhe përparimit politik të vendit tuaj.

Jam i bindur se ju do të vazhdoni reformat e thella demokratike dhe ekonomike për përparimin e Gjeorgjisë, në mënyrë të veçantë për integrimin e saj në NATO.

Duke përfituar nga ky rast, dëshiroj të shpreh dëshirën dhe vullnetin tim e të qeverisë shqiptare për forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve tona.

Urimet më të mira për ju dhe për popullin gjeorgjian.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›