Deklaratë për shtyp e Zëdhënëses së Kryeministrit, Znj. Juela Meçani
Ministri i Punëve të Jashtme të qeverisë shqiptare, zoti Lulzim Basha, gëzon mbështetje të plotë dhe vlerësimin më të madh të Kryeministrit të vendit, të qeverisë dhe mazhorancës qeverisëse, për punën e tij në drejtimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, për kontributin e dhënë në bashkëpunimin dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në institucionet Europiane dhe Euroatlantike.
Këto ditë Ministri Basha po përballet me një farsë akuzash politike të armiqve dhe kundërshtarëve të korridorit shqiptar, të cilët shohin fundin e tyre të pashmangshëm politik brenda pak muajve që na ndajnë nga inagurimi i veprës së shekullit për shqiptarët.
Kryeministri dhe qeveria informojnë qytetarët shqiptarë se çdo akt ligjor apo vendim që lidhet me ndërtimin e korridorit rrugor Durrës-Kukës-Morinë është vetëm vendim i Këshillit të Ministrave dhe jo i ndonjë ministri apo zyrtari të veçantë.
Ministri Basha në detyrën e Ministrit të Punëve Publike, ka zbatuar me transparencë të plotë, me përgjegjshmëri të lartë dhe përkushtim të madh, vullnetin politik të Kryeministrit, qeverisë dhe mazhorancës për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë, si dhe të gjitha vendimet e Këshillit të Ministrave për korridorin shqiptar, të cilat janë marrë në përputhje të plotë me ligjet e vendit.
Kryeministri dhe qeveria shqiptare, duke shprehur vlerësimin dhe krenarinë e saj për projektin e shekullit, që armiqtë dhe kundërshtarët e tij e bllokuan për 8 vite me rradhë, garanton qytetarët shqiptarë se ajo ka qenë dhe do të mbetet e përkushtuar totalisht dhe tërësisht e hapur dhe transparente ndaj tyre, ndaj ligjit dhe institucioneve të këtij vendi, në çdo akt, vendim dhe veprim të saj.
Shqipëria është dhe do të mbetet vendi i shtetit ligjor. Korridori shqiptar do të inagurohet në qershor 2009.
01/12/2008