E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi takon Presidentin e Rajonit të Lombardisë, Roberto Formigoni.

5 dhjetor 2008
Milano, Itali

Presidenti i Republikës, Bamir Topi i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, nisi sot një vizitë në Itali ku u prit nga Prefekti i Milanos, z. Lombardi dhe më pas zhvilloi një takim në Presidencën rajonale me Presidentin e Rajonit të Lombardisë, Roberto Formigoni.

Kreu i shtetit pasi shprehu kënaqësinë për këtë takim me autoritetin më të lartë vendor, vuri në pah lidhjet e ngushta historike dhe shoqërore dhe marrëdhëniet shumë të mira tradicionale mes dy vendeve dhe popujve tanë. Presidenti Topi nënvizoi nevojën që marrëdhëniet e shkëlqyera politike, dhe raportet e miqësisë tradicionale duhet të konkretizohen edhe me zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare. Kreu i shtetit u shpreh se edhe kjo vizitë, ashtu si edhe ajo e para disa ditëve e Kryeministrit Berluskoni në Tiranë, kontribuon ndjeshëm për thellimin e mëtejshëm të tyre, dhe shprehu mirënjohjen për ndihmesën e vazhdueshme të Italisë dhënë Shqipërisë përgjatë viteve duke e konsideruar atë partnerin tonë strategjik.

Presidenti Topi përshkroi klimën e favorshme dhe kuadrin e përshtatshmë ligjor për tërheqjen e investimeve të huaja, duke theksuar se mundësitë e investimeve lombarde dhe bashkëpunimi ekonomik janë shumë të mëdha në fusha si energjitika, infrastruktura, duke përmendur veçanërisht Korridorin 8, turizmi, sidomos ai bregdetar ku ka nevojë për projekte konkrete si dhe marrjen e përvojës, ku veçoi përvojën e vyer lombarde në fushën e decentralizimit.

Presidenti i Rajonit të Lombardisë, Roberto Formigoni pasi shprehu kënaqësinë për vizitën e Kreut të shtetit shqiptar, theksoi se rajoni që ai drejton dhe investitorët italianë janë të hapur dhe të gatshëm për të shikuar mundësitë e rritjes së pranisë së tyre në tregun e favorshëm shqiptar.

Presidenti lombard Formigoni vuri në pah miqësinë e fortë dhe tradicionale me dy popujve tanë, dhe rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Italisë për partnerin e saj strategjik, Shqipërinë siç e quajti ai dhe vlerësoi lart rolin moderator të Presidentit Topi duke theksuar se vendi ynë ofron mundësi të mëdha për investitorët e huaj, sidomos për sipërmarrësit italianë, duke siguruar për vazhdimin e bashkëpunimit të gjithanshëm dhe ndarjen e përvojës pozitive në fusha të ndryshme si decentralizmi, etj.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Milano, Spartak Topallaj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›