E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklaratë rajonale për të drejtat e fëmijëve

Gjatë Konferencës, përfaqësues dhe ekspertë nga vendet e Rajonit të Evropës Juglindore do diskutojnë dhe ndajnë eksperiencat e vendeve të tyre në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve gjatë procesit të ndryshimeve demokratike të ndodhura në këto vende në dy dekadat e fundit.

Konferenca u përshëndet nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Znj.Jozefina Topalli, e cila vuri në dukje se jeta dhe vepra e pedagogut, pediatrit dhe shkrimtarit polak Korczak, i cili braktisi gjithçka për të  mbrojtur 200 fëmijët e jetimores që drejtonte duhet të shërbejë si shembull frymëzimi për të gjithë, institucionet, shoqërinë dhe individin.  Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, z.Spiro Ksera, vuri në dukje se në grupin e të drejtave të njeriut, të drejtat për fëmijët zenë vendin e parë, “ndaj detyrimet e Qeverive dhe institucioneve për t’i njohur dhe garantuar ato janë të panegociueshme”. 

“Sërish një numër fëmijësh edhe në Evropën e shekullit të XXI kanë nevojë për përkrahje dhe mbështetje të veçantë për të shpëtuar nga kthetrat e dhunës, përdorimit për punë të papërshtatshme, për lypje, për pornografi, etj”, tha Ksera, duke u ndalur në mënyrë specifike në përgjegjësinë e institucioneve, shoqërisë dhe individit. Ministri i Punës u ndal në zhvillimet më të fundit të Shqipërisë në fushën e të drejtave të fëmijëve, të cilat i përcaktoi të rëndësishme pasi kanë sjellë zhvillime pozitive në fushën e përmirësimit të legjislacionit dhe ngritjes së institucioneve që monitorojnë dhe zbatojnë këto politika.

Presidentja e Fondacionit "Fëmijët Shqiptare", znj.Liri Berisha, u shpreh se, "Shqipëria ka ecur shumë në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, duke hartuar edhe Planin Strategjik të Mbrojtjes së të Drejtave të Fëmijëve 2012-2015". "Fondacioni që unë drejtoj është i angazhuar totalisht që të luajë një rol thelbësor për të drejtat e fëmijëve", deklaroi znj.Berisha.  Në fund, Konferenca do të miratojë një Komunikatë në të cilën vendet e Rajonit do të angazhohen në marrjen e masave konkrete për përmirësimin e legjislacionit dhe institucioneve që garantojnë mbrojtje më të lartë për fëmijët. /Start/

                                                                                             2012-06-14 14:49
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›