E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Shtetit; Studentët çekë të humbur, 100 mijë dollarë shpërblim për gjetjen e tyre



Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kërkon bashkëpunimin e qytetarëve dhe në veçanti të banorëve në rrethet Shkodër, Malësi e Madhe, Tropojë dhe Pukë për të dhënë informacione të vlefshme për prezencën e studentëve çekë në këto zona

Policia e Shtetit ripërsërit apelit dhe vë sërish në dispozicion një shumë prej 100 mijë dollarësh për gjetjen e tre studentëve çekë, të humbur tetë vjet më parë në Shqipëri. Hetuesit vazhdojnë kërkimet për tre studentët, të cilët janë parë herën e fundit në zonën e Dukagjinit në veri të vendit dhe që më pas nuk ka pasur asnjë informacion në lidhje me ta. Në një njoftim zyrtar, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kërkon bashkëpunimin e qytetarëve dhe në veçanti të banorëve në rrethet Shkodër, Malësi e Madhe, Tropojë dhe Pukë, për të dhënë informacione të vlefshme për prezencën e studentëve çekë në këto zona, kryesisht në komunat Shalë, Shosh, Pult, Shllak, Postribë, Temal, vende ku ka qenë dhe itinerari i lëvizjes së studentëve çekë në vendin tonë. Të rinjtë kishin ardhur në Shqipëri në vjeshtën e vitit 2001. Ata janë 23-vjeçari Mihal Pavelka, 21-vjeçari Jan Pavelka, dhe 23-vjeçarja Lenka Tuçkova. Policia ka vendosur edhe numrat e telefonit 129 dhe 0428098, nga ku çdo person i cili ka informacion për vendndodhjen e tyre mund të telefonojë. Në njoftim theksohet se policia do të garantojë fshehtësinë e informacionit të dhënë. Para disa vitesh, ambasada çeke i bëri një kërkesë zyrtare policisë shqiptare për të nisur kërkimet, për gjetjen e tre studentëve të humbur. Pas kësaj, policia nisi menjëherë kërkimet në çdo skaj të Dukagjinit, por pa arritur që të gjente studentët e humbur. Për t’u ardhur në ndihmë uniformave blu, nga Çekia u nis edhe një grup për kërkimin e tre të rinjve të zhdukur. Megjithëse ata kryen një kontroll të plotë, sërish nuk ia arritën që të binin në gjurmët e të rinjve prej tetë vjetësh të zhdukur. Nisur nga kjo, policia shqiptare përdori një strategji tjetër. Ajo vuri në dispozicion shumën prej 100 mijë dollarësh për të marrë informacion, që do të çonte në gjetjen e tre studentëve çekë në vitin 2007. E tani pas dy vjetësh, kjo shumë është bërë sërish publike në përpjekje për të marrë informacionet e duhura që do të çojnë në gjetjen e tre studentëve të humbur prej tetë vitesh.

Studentët çekë të humbur janë:

Mihal Pavelka, ishte i moshës 23 vjeç, me flokë të ndritshëm ngjyrë kafe dhe të shkurtra, sy ngjyrë blu, i gjatë 1 m e 90 cm, me trup të hollë.

Jan Pavelka, ishte i moshës 22 vjeç, me flokë kafe në gri të prera shkurt, sy ngjyrë kafe, i gjatë 1 m e 85 cm, mban syze.

Lenka Tuçkova, ishte e moshës 23 vjeç, me flokë kafe të drejta të gjata deri në shpatulla, sy ngjyrë blu dhe e gjatë 1 m e 75 cm.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›