Policia, 100 mijë $ për gjetjen e studentëve të zhdukur
TIRANË - Tetë vjet nga zhdukja e tre studentëve çek në Theth, Policia e Shtetit vë në dispozicion 100 mijë dollarë për çdo informacion rreth gjetjes së Mihal Pavelka, Jan Pavleka e Lenka Tuçkova zhdukur gjatë udhëtimit turistik në veri të vendit.
Sot në një njoftim për shtyp, ashtu si dy vjet më parë Policia e Shtetit njofton se strukturat e hetimit të krimit vazhdojnë hetimet intensive lidhur me gjetjen e tre studentëve Çekë të zhdukur në verë-vjeshtën e vitit 2001.
Përpara 2 vjetësh u publikua për herë të parë shifra e 100 mijë dollarëve shpërblim në rast informacioni rreth çështjes së studentëve cekë dhe sot e risjell në vëmendje këtë shifër. "Theksojmë që Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka vënë në dispozicion të personave që japin informacion të sigurt që çon në gjetjen e tyre shumën prej 100 mijë Dollarë dhe garanton fshehtësinë e informacionit të dhënë", thuhet në njoftimin për mediat.
"Informacionet mbi tre studentët Çekë mund të jepen në numrat e telefonit 129, dhe 0428098, numra që janë në dispozicion të qytetarëve", citohet më tej.
Duke qënë se studentët për herë të fundit janë parë në veri të vendit, policia i ka përqendruar hetimet në këtë zonë. Në këtë kontekst Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, kërkon bashkëpunimin e qytetarëve dhe në veçanti të banorëve në rrethet Shkodër, Malësi e Madhe, Tropojë dhe Pukë për të dhënë informacione të vlefshme për prezencën e studentëve Çekë në këto zona, kryesisht në Komunat Shalë, Shosh, Pult, Shllak, Postribë, Temal, vende ku ka qenë dhe itenerari i lëvizjes së studentëve Çekë në vendin tonë.
Karakteristikat e 3 studentëve
Mihal Pavelka, ishte i moshës 23 vjeç, me flokë të ndritshëm ngjyrë kafe dhe të shkurtra, sy ngjyrë blu, i gjatë 1 m e 90 cm, me trup të hollë.
Jan Pavelka, ishte i moshës 22 vjeç, me flokë kafe në gri të prera shkurt, sy ngjyrë kafe, i gjatë 1 m e 85 cm, mban syze.
Lenka Tuçkova, ishte e moshës 23 vjeç, me flokë kafe të drejta të gjata deri ne shpatulla, sy ngjyrë blu dhe e gjatë 1 m e 75 cm.