E Diel, 1 Nëntor 2026

Deklarimi personal, llogarisni shpenzimet që do tu zbriten

20/01/2011  Udhëzimi i deklaratës vjetore duhet të përgatitet brenda qershorit nga ministri i Financave

Brenda muajit qershor të këtij viti Ministria e Financave duhet të bëjë publike udhëzimin për mënyrën se si do të plotësohet deklarata vjetore e të ardhurave për çdo qytetar. Bashkë me udhëzimin ky dikaster duhet të hartojë edhe formularin e përfitimit nga shpenzimet e zbritshme për kreditë për shkollimin e fëmijëve apo për vetë dhe për personat në kujdestari për kryefamiljarët. Kjo pasi shpenzimet e zbritshme për efekt të plotësimit të kësaj deklarate, të cilat do të rimbursohen nga administrata tatimore, nëse do të jenë më të larta se të ardhurat që krijon qytetari do të jenë vetëm shpenzimet për mjekim apo shpenzimet për kredi për shkollim, për vete ose për fëmijët. Ata që duhet të plotësojnë deklaratën, sipas ligjit, janë të gjithë individët që marrin një pagë apo të vetëpunësuarit. Përjashtohen vetëm ata individë që nuk fitojnë më shumë se 200 mijë lekë në vit, të vetëpunësuarit që qarkullojnë deri në 2 milionë lekë në vit. Deklaratën mund ta plotësojnë edhe ata persona që duan të përfitojnë nga skema e shpenzimeve të zbritshme, por ky nuk është detyrim ligjor.

Plotësimi i deklaratës

Çdo qytetar i punësuar apo i vetëpunësuar që siguron të ardhura do të plotësojë deklaratën vjetore të të ardhurave. Në të do të paraqitet paga neto, pra sasia e të ardhurave që mbetet duke hequr pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Në këtë sasi të hollash do të shtohen, nëse ka, të ardhurat bruto nga qira, të ardhurat bruto nga dividenti për pjesëmarrje në shoqëritë tregtare apo veprimtaritë e biznesit, shitja e sendeve të paluajtshme në pronësi të deklaruesit, interesat bankare, shuma bruto e fituar nga lojërat e fatit, të ardhurat nga skema e sigurimit suplementar, trashëgimia dhe dhurimi. Nëse ai që deklaron është i vetëpunësuar në bujqësi ai duhet të përfshijë edhe të ardhurat që realizon gjatë veprimtarisë së tij ekonomike, pavarësisht nga lloji i aktivitetit. Kësaj shume do ti zbriten vetëm shuma e interesit bankar të kredisë së marrë për shkollim dhe shpenzimet për mjekim për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor, deri në masën 4,1 për qind të të ardhurave bruto. Për shpenzimet e zbritshme që qytetari do të kryejë duhet të mbajë dokument origjinal që vërteton shpenzimin. Pra, kujdes sepse faturat e këtij viti do tu duhen për 30 prillin e vitit 2012, kur do të bëni deklarimin e parë vjetor të të ardhurave. Qytetarët do të paguajnë tatim mbi diferencën midis totalit të të ardhurave bruto dhe shpenzimeve të zbritshme. Ajo tatohet me 10 për qind. Pas plotësimit dhe dorëzimit të deklaratës vjetore, kryefamiljari është i detyruar që të derdhë pagesën e tatimit, nëse diferenca del pozitive brenda 30 ditëve. Nëse diferenca rezulton negative, administrata tatimore i kthen tatimpaguesit shumën e taksave të paguara më shumë nga sa i takon. Në këtë rast afati i lënë për administratën tatimore është më i gjatë, pasi kthimi i shumave bëhet brenda një viti nga bërja e deklaratës. “Deklaruesi, në rast se konstaton gabime materiale të bëra nga ai vetë gjatë plotësimit të deklaratës, ka të drejtë që, brenda 3 muajve nga data e dorëzimit të deklaratës, të bëjë korrigjimet e nevojshme”, - thekson ligji. Plotësimi i deklaratës vjetore të të ardhurave është një standard i ri që vendos drejtësi shoqërore dhe formalizimin e ekonomisë. Në të ardhmen qeveria mund të rrisë numrin e shpenzimeve që mbulohen dhe rimbursohen nga kjo skemë dhe të bëjë rishpërndarje të të ardhurave drejt shtresave me vulnerabël, duke rimbursuar taksat e paguara gjatë vitit.

Paga neto mujore 50 000 lekë

Paga neto në vit 50 000 lekë x 12 muaj = 600 000 lekë

Shuma e interesit për kredi shkollore 5 000 lekë/muaj x 12 muaj = 60 000 lekë

Shpenzime për mjekim 4,1 për qind e të ardhurave = 24 600 lekë

Totali i shpenzimeve të zbritshme

60 000 lekë +24 600 lekë = 84 600 lekë

Shuma e tatueshme pas shpenzimeve të zbritshme

600 000 lekë - 84 600 lekë = 515 400 lekë

Gabimet

Detyrimi i parë për deklarimin e të ardhurave vjetore lind në vitin 2012. Brenda datës 30 prill dorëzohet deklarimi vjetor i të ardhurave për vitin 2011. Në rast se deklarata tatimore vjetore e të ardhurave nuk është plotësuar në kohë apo ka gabime, administrata tatimore zbaton sanksione administrative, sipas ligjit të procedurave tatimore. Kur tatimpaguesi jep informacion të gabuar apo të rremë e të pakorrigjuar nga ai vetë, brenda afatit të parashikuar nga ky ligj për korrigjimin, zbatohen dispozitat e Kodit të Procedurës Penale dhe të Kodit Penal.

Dokumentacioni

Për çdo të ardhur dhe shpenzim, që jepet në deklaratë tatimpaguesi mban kopje origjinale të dokumentit që provon të ardhurën apo shpenzimin e zbritshëm ose fotokopje të njësuar nga institucioni lëshues i dokumentit. Në rastin kur deklarata dorëzohet elektronikisht, dorazi apo me postë, skanime/fotokopje e këtyre dokumenteve i bashkëlidhen deklaratës vjetore të të ardhurave. Origjinali i tyre, në çdo rast, ruhet në përputhje me legjislacionin fiskal dhe vihet në dispozicion të administratës tatimore, kur kërkohet prej saj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›