Deklatatë e Kryeministrit dhe Kryetar i PSSH, Fatos Nano, për zgjedhjet administrative të Tetorit Kryeministri dhe Kryetar i PSSH Fatos Nano ka dalë sot në një konferencë për shtyp lidhur
Deklatatë e Kryeministrit dhe Kryetar i PSSH, Fatos Nano, për zgjedhjet administrative të Tetorit
Kryeministri dhe Kryetar i PSSH Fatos Nano ka dalë sot në një konferencë për shtyp lidhur me proçesin elektoral dhe përfundimin e zgjedhjeve vendore të 12 Tetorit 2003. Kryeministri dha përpara gazetarëve këtë deklaratë:
Partia Socialiste e Shqipërisë, në këtë fazë përmbyllëse të procesit të zgjedhjeve administrative të tetorit 2003, rikonfirmon vlerësimin e saj politik se këto zgjedhje shënuan progres të dukshëm në zbatimin e standarteve demokratike per zgjedhje te lira, te ndershme e demokratike.
Partia Socialiste e Shqipërisë deklaron pa ekuivoke se e njeh dhe e pranon rezultatin e këtyre zgjedhjeve sipas vullnetit të lirë që shprehën zgjedhësit shqiptarë në të gjitha komunat dhe bashkitë. Njëkohësisht, PSSH fton institucionet zgjedhore të vazhdojnë të sillen me korrektësi në procesin e administrimit të dokumentacionit, shqyrtimit të ankesave zgjedhore dhe në shpalljen e rezultatit përfundimtar brenda afateve ligjore.
Partia Socialiste e Shqipërisë vlerëson se zgjedhjet vendore rikonfirmuan bindshëm maxhorancën politike që qeveris vendin dhe mbështetjen e qartë nga publiku i gjerë për reformat e integrimit europian dhe për rezultatet e arritura. Qëndrueshmëria e pjesëmarrjes në zgjedhje dhe rritja e sinjifikative e zgjedhësve që mbështesin PSSH, edhe pas gjashtë vjetësh në pushtet, është prova më e mirë për këtë.
Zgjedhjet vendore 2003 rikonfirmuan se Partia Socialiste e Shqipërisë vazhdon të jetë forca kryesore politike në vend. Kjo na jep siguri për t'u angazhuar në thellimin e mëtejshëm të reformave europiane në të gjitha fushat e jetës, e veçanërisht në decentralizimin e qeverisjes me synim përmirësimin e shërbimeve publike ndaj shtetasve. Ne vlerësojmë se prirjet e zhvillimit te vendit drejt standarteve të BE-së, të konsoliduara edhe në këto zgjedhje, përforcojnë autoritetin përfaqësues të institucioneve shtetërore për të përshpejtuar negociatat për nënshkrimin e marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit me Bashkimin Europian.
Partia Socialiste e Shqipërisë ka kënaqësinë të përshëndesë kontributin e të gjithë aktorëve dhe subjekteve që ndihmuan në progresin dhe konsolidimin e procesit zgjedhor ne Shqipëri. Ne vlerësojmë në mënyrë të veçantë qytetarinë e publikut dhe pjekurinë e institucioneve të përfshira në procesin zgjedhor.
Partia Socialiste e Shqipërisë përgëzon dhe falenderon Presidentin e Republikës, Komisionin bipartizan që përgatiti Kodin Elektoral, Qeverinë Shqiptare, Policinë e Shtetit, Komisionin Qendror të zgjedhjeve dhe administratën zgjedhore të të gjithë niveleve, mediat, vëzhguesit e brendshëm dhe ata ndërkombëtarë për kontributin e dhënë në zhvillimin normal të zgjedhjeve administrative 2003.
Mbi këtë bazë në vlerësojmë se institucioni i zgjedhjeve, një nga më themelorët në demokraci, pas rrënimit të vitit 1996 është rindërtuar dhe konsoliduar sipas standarteve të pranuara ndërkombëtarisht.
Partia Socialiste vlerëson në mënyrë të veçantë gjithë kontributin e OSBE-së dhe të misionit MVZ të ODIHR si dhe të Këshillit të Europës. Ajo pajtohet plotësisht me vlerësimet e raporteve paraprake të MVZ dhe angazhohet të respektojë të gjitha rekomandimet që do të maturojnë përfundimisht institucionin e zgjedhjeve në të ardhmen.
Njëkohësisht PSSH, njeh dhe vlerëson fitoren e opozitës në disa bashki dhe komuna të vendit dhe fton lidershipin e opozitës të bëjë të njëjtën gjë me rezultatet e zgjedhjeve dhe autoritetet vendore fituese të PSSH apo të subjekteve të tjera. Ne nxisim dhe garantojme bashkëpunim dhe mbështetje për adresimin e të gjitha kontesteve zgjedhore në rrugë ligjore dhe në respekt të plotë të institucioneve që ngarkon Kushtetuta dhe ligji për trajtimin e tyre.
PSSH, si forcë politike e maxhorancës që qeveris vendin, garanton gjithë të zgjedhurit e rinj vendorë pavarësisht nga forca politike që përfaqësojnë se do të bashkëpunojë me ta pa asnjë rezervë, në përputhje me ligjin dhe në frymë gjithëpërfshirëse për thellimin e reformave, zbatimin e programeve të zhvillimit dhe përmirësimin e shërbimeve publike për qytetarët në të gjithë vendin.
Pas deklaratës Kryeministri Nano iu përgjigj interesimit të gazetarëve:
Pyetje: Z. Nano cili është mesazhi juaj për ata që nuk arritën të votonin?
Kryeministri dhe Kryetar i PSSH, Fatos Nano: Unë kam shënuar me maturi dhe kënaqësi qëndrueshmërinë e pjesëmarrjes së zgjedhësve shqiptarë edhe në administrativet 2003 dhe po ndjek me të njëjtin shqetësim si publiku dhe institucionet që ngarkon ligji, çështjet e konsolidimit të regjistrit të votuesve dhe të zgjidhjes në të ardhmen të problemeve të informimit të çdo zgjedhësi për qendrën e votimit ku ushtron një nga të drejtat dhe liritë themelore të tij. Nuk kam ndonjë koment më sensibël sesa kaq.
Pyetje: Gjatë procesit zgjedhor në Himarë kanë ndodhur disa incidente, si dhe janë vërejtur disa probleme. Cili është komenti juaj për problematikën që u shfaq atje?
Kryeministri dhe Kryetar i PSSH, Fatos Nano: Unë jam po kaq i shqetësuar dhe i angazhuar sa dhe ajo pjese e opinionit publik shqiptar që dënon incidentet e përgjakshme, të dhunshme apo eksese të importuara në zgjedhjet vendore, të importuara veçanërisht nga qarqe që synojnë të luajnë në mënyrë tradicionale me sovranitetin dhe integritetin e kufijve të një vendi në asociim me Bashkimin Evropian si Shqipëria dhe për këtë arsye kam nxitur dhe po u kërkoj dhe publikisht institucionit të policisë së shtetit dhe prokurorisë për të mbyllur sa më parë hetimin dhe për të vënë përballë përgjegjësisë ligjore autorët e këtyre incidenteve dhe të gjithë ata që kanë krijuar pasoja në shkelje të ligjit në lidhje me incidentet e verifikuara.
Pyetje: Është komentuar mosdalja juaj para publikut pas përfundimit të procesit zgjedhor. Si i vlerësoni këto komente?
Kryeministri dhe Kryetar i PSSH, Fatos Nano: Nuk besoj se jam këtu për të zëvendësuar institucionet që ngarkon ligji me përmbylljen zyrtare të procesit zgjedhor dhe shpalljen e rezultateve. Nuk jam këtu për të kontestuar autoritetin e misionit të vëzhguesve ndërkombëtare të ODHIR-it dhe Këshillit të Evropës që para pak kohe në mënyrë korrekte dhe sovrane bënë vlerësimet e tyre konstruktive, të cilat vlerësoj se i ndihmojnë të gjithë të interesuarit për t'u qetësuar dhe për të bërë detyrat sipas këtij dinjiteti përfaqësues që i ngarkon ligji. Po ripërsëris ftesën për lifershipin e opozitës dhe për përfaqësuesit e subjekteve të tjera politike në komisione, por edhe vetë administratën zgjedhore për të kryer në kohë detyrat e fundit që formalizojnë këtë progres dhe që i japin mundësi autoriteteve të reja vendore të fillojnë pa humbur kohë nga puna.
Pyetje: Opozita ka deklaruar se nuk i njeh zgjedhjet në Tiranë e Durrës, si mendoni të zgjidhet ky moment?
Kryeministri dhe Kryetar i PSSH, Fatos Nano: Unë jam këtu për të bërë detyrën time dhe për të përsëritur ftesën të shoqëruar me angazhime të paekuivok për vazhdimin e bashkëpunimit me opozitën dhe me subjektet e tjera politike, humbëse apo fituese, në dobi të konsolidimit të institucionit dhe të procesit zgjedhor dhe të konfirmimit të autoritetit të përfaqësueve të rinj të zgjedhur në të gjitha nivelet. Nuk besoj se do të ishte e dobishme të sjell në vëmendjen tuaj precedentet se kush nuk ka njohur rezultatet në zgjedhjet e mëparshme dhe padobishmërinë e një qëndrimi, që ka sjellë nga ana jonë një reagim të matur në të gjitha rastet, duke pritur me durim rikthimin në detyrë të përfaqësuesve të votuar të opozitës në këshilla apo nivele të ndryshme të qeverisjes vendore në të kaluarën. Këtë gjë do të vazhdojmë ta bëjmë dhe do ta nxisim me shumë seriozitet e maturi edhe në këtë rast.
Pyetje: Z. Nano, si e shpjegoni rezultatin në bashkinë e Korçës, Sarandës, Elbasanit ?
Kryeministri dhe Kryetar i PSSH, Fatos Nano: Nuk besoj se nuk dini ta lexoni një farë rishpërndarje të votës në territor dhe në nivele të ndryshme të qeverisjes vendore. Nuk jam këtu për të ndërtuar ndonjë hartë që diskriminon apo përjashton nga prirjet e përgjithshme të zhvillimit pozitiv të vendit drejt integrimit të komunave dhe bashkive me pjesë të ndryshme të vendit, aq më pak të bëj një dallim midis jugut dhe veriut. Unë kam ndjekur me vëmendje dhe i cilësoj si mësime të dobishme mesazhet që kanë dhënë zgjedhësit në disa bashki kryesore qoftë në dobi qoftë në ndëshkim të performancës sonë qeverisëse në tre vitet e kaluara. Jam shumë i interesuar që të shoh kapacitetet e reja që janë afirmuar pavarësisht nga subjekti politik që përfaqësojnë. Deri tani, edhe nga kontributi që keni dhënë ju të medias përmes ballafaqimeve televizive, më rezultojnë fitore të merituara dhe tregues premtues të kundërshtarëve që kanë mundur kandidatët e mi në disa bashki kryesore dhe së afërmi me konfirmimin dhe shpalljen e rezultatit zyrtar të zgjedhjeve do t'i ftoj për të nisur menjëherë bashkëpunimin. Më në fund do të vazhdoj të nxis, duke e vëzhguar me vëmendje bashkëpunimin midis autoriteteve dhe titullarëve të rinj të zgjedhur dhe këshillave bashkiake që janë multikolor, si në rastet kur mazhoranca përbëhet nga PS dhe aleatët e saj ashtu edhe në raste kur minoranca të rëndësishme ose jo janë të domosdoshme për vendimarrje që i shërbejnë ritmeve më të larta rajonale që i shërbejnë të gjithëve.
Pyetje: Thuhet se aleatët kanë ndikuar në rezultatin jo të mirë të PSSH në disa bashki. Cili do të jetë niveli i bashkëpunimit tuaj në të ardhmen me aleatët?
Kryeministri dhe Kryetar i PSSH, Fatos Nano: Nuk besoj se rezultati që po konturohet i këtyre zgjedhjeve do të na çojë në likujdime faturash brenda mazhorancës aktuale qeverisëse. Po nxis korigjimin e instrumenteve politikë e institucionale brenda mazhorancës që i shërbejnë një performance më të mirë qeverisëse në të gjitha nivelet dhe një bashkëpunimi më të konsoliduar midis autoriteteve vendore dhe atyre qendrore në dobi të reformave që kemi përpara dhe të programit të qeverisë që unë drejtoj.
Pyetje: Kush është angazhimi i mazhorancës që ju drejtoni përsa i përket rekomandimve të OSBE/ODIHR, të dhëna në raportin e sotëm?
Kryeministri dhe Kryetar i PSSH, Fatos Nano: Angazhimi ynë mbetet politik, institucional dhe profesional për të kuptuar dhe realizuar të gjitha rekomandimet që lidhen së pari, me konsolidimin e kapaciteteve të institucioneve dhe të administratës zgjedhore në Shqipëri në të gjitha nivelet, për një mbrojtje më të mirë ligjore dhe publike të integritetit të tyre në funksionim sipas ligjit, pra, pakësimin e efekteve negative që sjell presioni politik i cilitdo mbi veprimtarinë e komisionerëve dhe të institucioneve të administrimit të zgjedhjeve në tërësi, që siç konstatuan dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë vonuar apo nuk kanë krijuar hapësirën e nevojshme për trajnimin, konsolidimin e përvojës dhe plotësimin e vakumeve të rregullave procedurale që do të ndihmonin komisionerët dhe instancat administrative të zgjedhjeve të vepronin në kohë dhe më në funksion të shqetësimeve të zgjedhësve apo subjekteve në të, një proces që siç e theksova ka ardhur në maturitet. Pranda, nuk besoj se kapacitetet e shquara dhe të pranishme që ka PS në Kuvend dhe në nivele të ndryshme të qeverisjes nuk do të angazhoheshin pa asnjë rezervë për të kontribuar në objektiva që të gjithë kemi përpara.
Pyetje: Megjithëse ju zhvilluat një fushatë elektorale në jug duke u kujtuar qytetarëve vitin 1997, PD arrit të fitojë disa komuna e bashki atje. A mendoni se Z.Berisha e ka kapërcyer vitin '97?
Kryeministri dhe Kryetar i PSSH, Fatos Nano: Unë nuk kam ndonjë autoritet të veçantë për të kualifikuar kapërcimet e liderit të opozitës përpara ose prapa. Unë jam në detyrë dhe në përfaqësim të partisë që drejton vendin për të sjell në vëmendjen e të gjithëve referenca dhe fakte politike qeverisëse që kanë dëmtuar zhvillimin normal të tranzicionit, të institucioneve, të ekonomisë dhe të procesit të përafrimit të Shqipërisë me vendet moderne të BE. Unë do të vazhdoj ta bëj këtë në funksion të një angazhimi bipartizan, që përfshin dhe opozitën dhe shoqërinë civile për të krijuar kushte të pamundshme që të përsëriten abuzimet apo sulmet ndaj institucioneve të shtetit të së drejtës dhe ndaj mekanizmave të një shoqërie demokratike siç ka ndodhur në '97 apo më parë në Shqipëri.
Pyetje: Z. Kryeministër mund të thoni në shifra rezultatin në proporcional të PS?
Cili është mesazhi që u jepni votuesve shqiptarë?
Kryeministri dhe Kryetar i PSSH, Fatos Nano: Nuk kam ndonjë të dhënë më të freskët sesa ato që janë përpunuar dhe shpallur nga kolegët e mi të Partisë Socialiste, Sekretari i Përgjithshëm Z.Ruçi dhe nuk mund të mos vazhdoj të konstatoj me kënaqësi qëndrueshmërinë në rritje të numrit të votuesve në mbështetje të PSSH dhe në zgjedhjet administrative të tetorit 2003. E ritheksoj se pjesëmarrja e qëndrueshme e zgjedhësve shqiptarë edhe në administrativet 2003 është një tregues i maturisë së publikut, i interesimit pozitiv të shumicës dërrmuese të zgjedhësve të regjistruar në Shqipëri për institucionet dhe përfaqësimin politik të tyre në to. Të gjitha angazhimet që unë përmenda, personale, të qeverisë dhe të mazhorancës që unë drejtoj do të shkojnë në dobi të zgjidhjes një herë e mirë të problemeve që kanë lindur, të zgjedhësve të ndryshëm veçanërisht në qytetet e mëdha për informacion zgjedhor që u lejon të ushtrojnë të drejtën e votës së lirë.