Qeveria e Republikës së Shqipërisë përcolli me vëmendjen e duhur proçesin e zgjedhjeve vendore të ditës së djeshme. Në përfundim të këtij proçesi zgjedhor Qeveria Shqiptare vlerëson se
Qeveria e Republikës së Shqipërisë përcolli me vëmendjen e duhur proçesin e zgjedhjeve vendore të ditës së djeshme. Në përfundim të këtij proçesi zgjedhor Qeveria Shqiptare vlerëson se:
1-Zgjedhjet vendore të këtij viti shënojnë progres të rëndësishëm dhe afirmojnë maturinë e institucioneve demokratike të Shqipërisë për përshpejtimin e proçesit të integrimit të vendit në strukturat e Bashkimit Europian. Në vlerësimin e saj qeveria Shqiptare deklaron se zgjedhjet e 12 tetorit ishin zgjedhje plotësisht të lira, të ndershme dhe demokratike.
2-Qeveria Shqiptare përshëndet të gjithë të zgjedhurit e rinj vendorë, pavarësisht nga përkatësia politike, dhe shpreh vullnetin e saj për bashkëpunim korrekt e institucional sipas ligjeve në fuqi për thellimin e reformës së decentralizimit dhe përmirësimin e mëtejshëm të shërbimeve publike ndaj qytetarëve.
3-Qeveria përshëndet partitë politike shqiptare për frymën paqësore dhe demokratike që përçuan tek elektorati i tyre si dhe për zhvillimin e një fushate zgjedhore të qetë dhe pa incidente.
4-Këshilli i Ministrave dëshiron të përshëndesë institucionet zgjedhore dhe në mënyrë të veçantë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për punën e kryer deri më tani për menaxhimin e zgjedhjeve, pavarësisht presioneve politike, pjesërisht edhe në ditën e zgjedhjeve të ushtruar nga ndonjë parti konkuruese. Njëkohësisht Qeveria u bën thirrje të gjithë komisionerëve zgjedhorë që të përshpejtojnë nxjerrjen e rezultateve të votimit dhe dërgimin e materialeve zgjedhore në KQZ.
5-Qeveria përshëndet rolin tejet korrekt të Policisë së Shtetit, e cila pavarësisht debateve parazgjedhore, zbatoi me përpikmëri ligjin, duke krijuar për herë të parë modelin e sjelljes policore në periudhë zgjedhore.
6-Qeveria shqiptare po ndjek me vëmendje proçesin e nxjerrjes së rezultateve të votimit, i cili po ecën mjaft mirë me përjashtim të rezultateve për bashkinë Tiranë, ku moskryerja deri në braktisje e detyrës nga disa komisionerë të opozitës ka vështirësuar nxjerrjen e rezultatit zgjedhor për këtë Bashki dhe për 11 minibashkitë e kryeqytetit. Me këtë rast qeveria kërkon nga KQZ-ja zbatimin me korrektësi të dispozitave të Kodit Zgjedhor për të siguruar veprimin e personave përgjegjës sipas ligjit në fuqi, duke i dhënë fund qëndrimeve arbitrare ndaj detyrës ligjore në administrimin e zgjedhjeve.
7-Qeveria e Shqipërisë shpreh angazhimin e saj për të mbështetur KQZ, për një reformë të plotë të regjistrit të votuesve, për të zgjidhur përfundimisht këtë problem.
8-Qeveria vlerëson rolin e mediave, në mënyrë të veçantë atyre elektronike për angazhimin e tyre në përçimin me transparencë të proçesit elektoral, pavarësisht qëndrimeve të njëanëshme të vërejtura në ndonjë rast, të cilat gjithsesi nuk e cënuan proçesin.
9-Qeveria shpreh shqetësimin për numrin e ulët të grave në përfaqësim dhe nxit partitë politike dhe shoqërinë civile që të përmirësojnë standartet e pjesëmarrjes së tyre në jetën politike.
10-Qeveria çmon dhe vlerëson rolin korrekt dhe konstruktiv të vëzhguesve zgjedhorë, në mënyrë të veçantë të atyre ndërkombëtarë të drejtuar nga ODIHR dhe Këshilli i Europës.