E Diel, 1 Nëntor 2026

Dekomunistizimi, në rendin e ditës edhe për shoqërinë gjermane e polake

19-01-2012 / Gazeta “Wyborcza”

S’ndalen protestat e qytetarëve, kur u duhet të japin adresat me emrat e diktatorëve Lenin, Templin, apo me ato të aparatçikëve të partisë së komunistëve në Gjermaninë Lindore apo në Poloni

“Shoqëria jonë është pjesërisht e dekomunistizuar”, pohon Wolfgang Templin, ish-disident i Gjermanisë Lindore. Kjo akuzë shkon përtej faktit të thjeshtë se në qytetet gjermane të ish-DDR-së (Gjermanisë Lindore), shumë prej rrugëve mbajnë emrin e Roza Luksemburgut, revolucionares së famshme që u vra në kryengritjen e punëtorëve në Berlin, në vitin 1919. Megjithatë, problemi kryesor lidhet me personazhe si Ernst Thälmann, kryetari i Partisë Komuniste Gjermane, i pushkatuar në vitin 1944 në kampet e përqendrimit të Buchenwald-it; apo Wilhelm Pieck-ut, presidenti i parë i DDR-së. “Jam gati të lëshoj pe për Roza Luksemburgun, për arsye se në biografinë e saj ka edhe faqe të ndritura. Por Thälmann ka qenë një aparatçik besnik i Stalinit, ndërsa Pieck-u ka dhënë kontribut në themelimin e atij shteti terrori, siç ishte DDR-ja. Është njëlloj sikur në Poloni të kishte sot rrugë që mbanin emrin e Wanda Wasilewska-s (shkrimtare polake dhe ish-kolonele e Ushtrisë së Kuqe) apo të Boles-aw Bierut-it (kreu i shtetit të Polonisë komuniste pas LDB-së)”, shprehet Tamplin. Po, sa është vallë numri i rrugëve në DDR që mbajnë emra komunistësh? As autoritetet e landeve dhe as ato të komunave nuk mund të të ofrojnë shifra të sakta. Në vitin 2006, studiuesit e muzeut të STASI-t në Berlin, duke u orvatur të vlerësojnë përmasat e kësaj dukurie, dolën në përfundimin se mijëra emra rrugësh i kishin shpëtuar dekomunistizimit. Kështu, emrat e Thälmann-it dhe Pieck-ut u përkasin respektivisht 613 dhe 90 rrugëve e shesheve. Këtyre dy emrave mund t’u shtosh edhe dhjetëra emra aparatçikësh të nivelit të dytë, të po atij regjimi. Sigurisht, pa lënë në harresë Marksin dhe Engelsin, emrat e të cilëve u përkasin dhjetëra rrugëve, madje kanë edhe një monument në qendër të Berlinit. Qindra rrugë të tjera përkujtojnë ende “miqësinë” dhe “paqen” mes dy vendeve socialiste. Rreth 90 rrugë i përkushtohen pionierëve të komunizmit dhe rreth 50 të tilla, shoqërisë dhe miqësisë gjermano-sovjetike që ka avulluar 21 vite më parë. Ka edhe më keq, shumë prej rrugëve që mbajnë emrat e Otto Grotewohl-it dhe Walter Ulbricht-it (drejtuesit e DDR-së dhe përgjegjësit të dhunës së përgjakshme ndaj kryengritjes së punëtorëve në Berlin, në vitin 1953) i kanë mbijetuar edhe bashkimit ndërgjerman. Për Hubertus Knabe-n, drejtor i muzeut të STASI-t, është e papranueshme që në gjithë ish-DDR-në, praktikisht nuk ka rrugë që të mbajnë emrat e disidentëve, të cilëve, opozitarizmi karshi regjimit u kushtoi jetën. Diçka e tillë nuk çohet as nëpër mend në Poloni. Këtu tek ne, ka vite që ?Instituti i Kujtesës Kombëtare?(IPN) kontrollon kartat e identitetit të qytetarëve, dhe kur gjen emra të padenjë, kërkon zyrtarisht ndryshimin e emrit. Një politikë e tillë ka raste që edhe teprohet. Si për shembull dy vite më parë, kur u kërkua që të shuhej - nga qyteti i tij i lindjes, Klimontov - emri i Bruno Jasieski-t (militantit komunist që u shpërngul në Bashkimin Sovjetik, e më pas ra viktimë e spastrimeve të viteve ‘30-të). “Në Gjermaninë Lindore ka pak rrugë që nuk mbajnë emra komunistësh”, thotë Markus Meckel, ish-disident dhe ministri i fundit i jashtëm i DDR-së. “Pak kohë pas bashkimit, zëvendësuam pjesën dërrmuese të emrave. Pati edhe disa që ngritën zërin për të thënë se i duhej lënë historisë gjykimi i ish-komunistëve. Madje u mbërrit gjer në atë pikë sa çdo ndryshim i emrit të një rruge nxiste përplasje të forta në këshillat e komunave”. Kundërshtia vjen kryesisht nga militantët lokalë të formacionit politik “Die Linke”(E Majta), një parti postkomuniste dhe pasardhëse e Partisë Socialiste të Bashkuar(SED). “Die Linke” është forca e katërt politike në Bundestag dhe bën pjesë në koalicionin qeverisës në qeverinë e Brandeburgut, në kufi me Poloninë. Drejtuesit e saj e mbrojnë me mish e thonj atë çka ka mbetur nga Gjermania socialiste. Përplasjet më të ashpra lidhen me emrin e Thälmann-it, vrarë në vitin 1944 nga “Gestapo” me urdhër të Hitlerit, pasi kaloi 11 vjet në burgjet naziste; çka i mundësoi edhe përfitimin e statusit të “viktimës së nazizmit”. “Sidoqoftë, një viktimë nuk meriton detyrimisht edhe admirim”, pohon Meckel. Megjithatë, autoritetet lokale dhe administratorët e territoreve parapëlqejnë t’u shmangen këtyre çështjeve. Kur çështja e nderimeve që u ofroheshin ish komunistëve u ngrit kohët e fundit edhe në shtypin gjerman, drejtuesi kryesor i të majtëve të Brandenburgut u shpreh se tashmë kjo ishte një çështje e mbyllur. “Nuk është mbyllur aspak. Fakti që këto personazhe vazhdojnë t’u vendosin emrat rrugëve tona dëshmon se Gjermania ende nuk dëshiron të lajë hesapet me të shkuarën”, komenton profesor Klaus Schroeder, historian pranë Universitetit të Berlinit dhe specialist i historisë së DDR-së. Gjëja më e rëndë është se “njerëzit harrojnë të shkuarën, anashkalojnë për shembull faktin se sheshi i “Bashkimit” përkujton bashkimin e sforcuar të Partisë Komuniste dhe Partisë Socialdemokrate të nesërmen e luftës, si dhe nën kërcënimin e komunistëve. Ka shumë që kujtojnë se në këtë rast bëhet fjalë për “Bashkimin e Gjermanisë”, sqaron Templin.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›