Një lepur në Komisionin e Ligjeve

Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu ka konsumuar dje një sjellje të turpshme në organin kushtetues më të lartë në vend. Duke sulmuar parlamentin, deputetët dhe të gjithë klasën politike, ai ka deklaruar se do ta mbajë peng KLD-në, edhe pse brenda dy minutash i është dashur të strehohet tej kaçubja presidenciale
Rusmali: Spahiu, harbut dhe i papërgjegjshëm – komisioni hetimor do vërtetojë shkeljet e tij
Një sjellje prej lepuri ka qenë ajo e djeshmja e Kreshnik Spahiut, ndërsa Komisioni parlamentar i Ligjeve, diskutoi dhe miratuar kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për të hetuar nënkryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me qëllim shkarkimin e tij nga ky post. Kërkesa u miratua vetëm me votat e mazhorancës, pasi deputetët e opozitës u larguan nga mbledhja.
Nënkryetari i KLD-së u paraqit në komision, ku fillimisht u dëgjua relacioni i deputetit të PD-së, Viktor Gumi, i cili parashtroi kërkesën e mazhorancës që kërkonte shkarkimin e Spahiut. Gumi deklaroi se Spahiu ka shkelur Kushtetutën dhe ka të dhëna se duhet hetim parlamentar për veprimtarinë e tij në KLD.
Sipas deputetit Gumi, kërkesa e demokratëve argumenton se “Kreshnik Spahiu ka devijuar nga funksioni kushtetues dhe e ka zëvendësuar atë me veprimtari politike të papajtueshme me detyrën, duke mos përfaqësuar interesat në funksionin e drejtësisë dhe Kuvendit të Shqipërisë, organ nga i cili është zgjedhur”.
Në vazhdim, mbledhja u shoqërua me debate e tensione, pasi nënkryetari i KLD, Spahiu, më shuam për të trimëruar veten, “ngriti zërin” (aq sa mund ta ngrejë ai) dhe duke e kujtuar veten në ndonjë tubim politik (brenda orarit zyrtar), akuzoi Kuvendin se po shkel Kushtetutën, pasi për shkarkimin e tij nuk vendos legjislativi.
Gjuha e përdorur nga frikacaku Kreshnik Spahiu ishte sa e përshtatshme aq edhe me përmbajtje banale, deri në fyerje ndaj institucionit të parlamentit.
Nga ana e tij, kryetari i komisionit të ligjeve, Ilir Rusmali i kujtoi Kreshnik Spahiut se shpërthimin e tij kundër Kuvendit do ketë mundësi ta faktojë kur të ngrihet komisioni hetimor, ndërsa në seancën e komisionit të ligjeve ishte thërritur vetëm për procedurë.
Ilir Rusmali, Kryetari i Komisionit të Ligjeve i dha fjalën Spahiut, për të folur, siç ia kishte bërë me dije që një ditë më pare, për anën proceduariale të kësaj kërkese, gjë që nuk u zbatua nga Spahiu dhe shkaktoi debate në komision, deri në përzënien e tij nga seanca.
“Mos tento ta kthesh këtë seancë në konferencë shtypi, duke dalë kështu tërësisht nga rendi i ditës. Po sillesh me harbutëri. Kur të ngrihet komisioni hetimor do kesh mundësi pa fund për të folur. Këtu në këtë komision vendos unë”, tha Rusmali, ndërsa urdhëroi largimin e Kreshnik Spahiut nga mbledhja e komisionit të ligjeve.
Ilir Rusmali sqaroi më tej se Kreshnik Spahiu mashtroi kur tha gjatë fjalës së tij se e ka marrë kërkesën pasdite.
“Faksi njoftues është dërguar në mëngjes, por angazhimet jashtë institucionale të zotit Spahiu kanë bërë që ai të mos jetë në zyrën e tij gjatë orarit të punës, për ta marrë në kohë njoftimin”, tha kreu i komisionit të Ligjeve.
Ndërkaq, opozita, e pranishme në seancën e Ligjeve, e quajti farsë procesin kundër nënkryetarit të KLD-së. Ata u larguan nga salla, duke konfirmuar aleancën dhe homologimin jo vetëm me Kreshnik Spahiun, por edhe me eprorin e tij në KLD, Bamir Topi.
Ngritja e një Komisioni hetimor, për aktivitetin jozyrtar, në orarin zyrtar të Kreshnik Spahiut, u paralajmërua disa ditë më parë nga kryeministri Sali Berisha. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike i kërkoi Kuvendit me anë të një kërkese, ngritjen e një komisioni hetimor, për të verifikuar shkeljet e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në ushtrimin e detyrës së tij.
Sipas PD, Kreshnik Spahiu ka devijuar nga funksioni kushtetues dhe e ka zëvendësuar atë me veprimtari politike të papajtueshme me detyrën, duke mos përfaqësuar interesat në funksionin të drejtësisë e Kuvendit të Shqipërisë, organ nga i cili është zgjedhur.