E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama fshihet ferrave, pas ftesës së Metës

19-01-2012 / Gazeta 55

Kreu i LSI sfidon kryesocialistin në një debat televiziv ku shqiptarët do mësojnë se kush ndërhyn te gjyqtarët për të mos luftuar korrupsionin. Meta: “2 minuta video për të treguar se sa transparent është Edi Rama me sistemin e drejtësisë”. Asnjë përgjigje nga Edvini, i cili, i tmerruar, ka bllokuar edhe cicërimën e Twitter-it

Deklaratave të Edi Ramës se drejtësia vdiq me vendimin për lirimin nga akuzat të ish zëvendëskryeministrit Ilir Meta, i përgjigjet ky i fundit, duke e sfiduar publikisht lidershipin e selisë rozë, të ballafaqohet para gjithë shqiptarëve për të dhënë prova si video, audio, letra, për të dhënë dokumente për kapjen që mund t’i jetë bërë gjykatës dhe sistemit të drejtësisë. Ftesës së Ilir Metës, Edi Rama, jo (mos)përgjigj, duke u fshehur ferrave..., biles duke mos guxuar as të shkruaj glasën e radhës, me cicërimave të zakonshme prej tij në Twitter, për këtë sfidë.
Ilir Meta e sfidoi Edi Ramën dje, duke e ftuar publikisht atë në një ballafaqim mediatik, por nga lidershipi i selisë rozë s’ka ardhur asnjë reagim, duke treguar edhe njëherë frikën dhe tmerrin ndaj debateve të drejtpërdrejta me rivalët politik. Vetë Ilir Meta tha se do mjaftohet me vetëm 2 minuta material video për t’i treguar të gjithë shqiptarëve se “në të vërtetë kush ndërhyn tek prokuroria për të pushuar çështjet e korrupsionit, kush ndërhyn te gjyqtarët për qëllime politike dhe për të mos e luftuar vërtet korrupsionin. Në qoftë se Edi do vërtet transparencë dhe në qoftë se Edi do vërtet që të ballafaqohet para të gjithë shqiptarëve, para të gjithë ndërkombëtarëve lidhur me atë që i quan vdekja e drejtësisë, në atë që ai e quan presioni ndaj gjykatave, prokurorëve, Prokurorisë së Përgjithshme, Shërbimit Informativ etj, unë e ftoj që duke filluar nga sot dhe kur të dëshirojë në emisionin ‘Fiks Fare’, të dalë para shqiptarëve dhe le të ketë kohë sa të dojë në dispozicionin për të dhënë prova, për të dhënë fakte, për të dhënë video, për të dhënë audio, për të dhënë letra, për të dhënë dokumente për kapjen që mund t’i jetë bërë gjykatës, prokurorisë nga qeveria, nga Kryeministri apo dhe nga unë. Unë e siguroj atë, ju siguroj juve, i siguroj të gjithë shqiptarët që duhet ta dëgjoj me shumë respekt dhe me shumë vëmendje duke besuar që vërtet është kaq i shqetësuar për këtë që po ndodh me drejtësinë shqiptare. Unë dua vetëm 2 minuta kohë për të transmetuar diçka në video dhe në audio, meqenëse Edi na futi video-politikën në politikën shqiptare, për të parë të gjithë se vërtet kush ndërhyn tek prokuroria për të pushuar çështjet e korrupsionit, kush ndërhyn te gjyqtarët për qëllime politike dhe për të mos e luftuar vërtet korrupsionin. Kjo bëhet në emër të transparencës”, u shpreh kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
Ai theksoi se Avokati Spartak Braho ka diçka që mund t’i shërbejë kryeprokurores Ina Rama, për të hedhur dritë dhe për të parë se kush ndërhyn në sistemin e drejtësisë, se kush ndërhyn në gjykata për të mbuluar çështje si ato të korrupsionit.
“Avokati i madh dhe prokurori i përhershëm pavarësisht se është në detyrë apo në pritje, Spartak Braho, ka diçka e cila ishte tepër pozitive për hir të transparencës që e ka Edi si kërkesë, si nevojë, si apel. Spartak Braho si prokuror i përhershëm dhe që nuk ka nevojë të paguhet si prokuror ka ditë që kërkon edhe Ina Rama që ta ndihmojë në këtë drejtim që nga procesi që ka mbaruar ndaj Ilir Metës. Këto bëhen thjesht për hir të transparencës”, tha ai.
Ish zëvendëskryeministri pohoi se vendimi i gjykatës ishte 5-0 në favor të lirimit nga akuzat, ndërsa nga ana tjetër reagimi politik i Partisë Socialiste ishte se me këtë vendim vdiq drejtësia. Ilir Meta tha se shqetësimi i biznesmenit të ri të funeraleve, i cili nxori në bulevard në një ceremoni mortore disa të rinj që vetëquhen eurosocialistë, është se nga ana tjetër FRESSH ka vdekur me kohë.
“Nuk dua të merrem me vendimet e djeshme apo të pardjeshme të Partisë Socialiste. Në qoftë se pyesni përsëri për vendimin e gjykatës, tani ju e dini që rezultati ka qenë ndoshta më i thellë seç duhet por ç’të bëjmë që e vërteta është kaq e kristaltë. Rezultati ka qenë 5 me 0. E kuptoj shqetësimin e biznesmenit më të ri në sipërmarrjet funerale në Shqipëri, Edit tonë të dashur, i cili përzgjedh në këto ceremoni mortore edhe disa të rinj që quhen gjoja eurosocialistë, një forum që ka kohë që më vjen keq që nuk ekziston. Megjithatë kjo është një çështje e tij. Për biznesin e ri të funeraleve mendoj që nuk është normale dhe njerëzore të ecim në këtë drejtim. Përpara se të vazhdojë me këtë lloj biznesi që e ka kaq shumë për zemër, do të ishte shumë mirë miku im i dashur Edi të kërkonte falje për gjendjen me të cilat i la varrezat e Tiranës për gati 11 vjet si Kryetar Bashkie dhe këtë gjë e dinë të gjithë qytetarët e Tiranës. Se e ka humbur bashkinë apo bankën siç thonë miqtë e tij më të afërt nuk është ndonjë fatkeqësi e madhe. Që ka probleme drejtësia, absolutisht që po. Dhe natyrisht që kjo është arsyeja që në mënyrë vërtet serioze dhe jo për të bërë shaka unë i bëj një ftesë shumë të sinqertë sepse nuk mund t’i përgjigjemi me të njëjta mënyra dhe forma sepse ne jemi për politikë transparente dhe të civilizuar dhe ju e dini që ne jemi për video origjinale dhe jo të montuara”, deklaroi më tej kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›