Dekorimi, replika mes Topit dhe Topallit

Presidenti Topi dhe kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli kanë replikuar sot në distancë në lidhje me dhënien e dekorimeve nga institucioni i presidencës.
Duke vizituar institutin e të përndjekurve politikë në Tiranë ku janë nderuar dy viktimat e ish-diktaturës komuniste Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja, kreu i shtetit Bamir Topi ka reaguar ndaj deklaratës së kryetares së kuvendit se ata që dekorojnë vrasësit e martirëve të demokracisë janë më shumë se hipokrit.
“Kujtoja që nuk është momenti për të luajtur një melodi të vjetër. Ata të cilët janë kanë në dorë vendimarrje politike të rekuperojnë sado pak dëmet që janë shkaktuar këtyre familjeve pasi duhet të përfundojë kompesimi i këtyre familjeve. Çdo adresim për element të tillë që unë nuk e di se kujt i drejtohen se nëse i drejtohen dikujt them që presidenca nuk bën dekorime me iniciativa personale dhe se ato vijnë të propozuara nga institucionet” theksoi Topi duke shtuar se kjo klasë duhet të nderohet jo vetëm me fjalë demagogjike por të realizohet skema e kompesimit dhe mbështetje në shumë drejtime.
Ndërkohë më herët kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli theksoi se ata të cilët kanë një pozicion të caktuar nuk duhet të dekorojnë ata që kanë pushkatuar.
“Ftojmë këdo që ka një pozicion të caktuar dhe për t`i thënë që të mos guxoni të dekoroni ata që kanë pushkatuar. Ata që dekorojnë vrasësit e këtyre djemve të rinj janë më shumë se hipokrit” theksoi Topalli.
Ndërkohë homazhe kreu edhe kryeministri Sali Berisha, i cili shprehu nderimin dhe përuljen para martirëve të demokracisë që u ekzekutuan nga regjimi barbar për fjalën e lirë dhe besimin te Zoti. "Shpreh nderimin për familjet e tyre dhe për të gjithë ata që sakrifikuan me vite burg e internime për vlerat më të arrira njerëzore të shoqërisë", tha Berisha.
“Duhet ta dini se kur ata kanë votuar janë paraqitur para kutisë së barbarisë dhe kutisë së armikut”, tha Berisha, duke theksuar se ata ekzekutoheshin për votën e tyre të hedhur jo në kutinë e duhur. Sipas kryeministrit demokracia është pikërisht respekti i votës ndryshe.
“Kjo është merita e këtij sistemi të ndërtuar me sakrifica, që krahasuar me atë tjetrin, është si dielli me errësirën. Shpreh nderimin më të madh, respektin më të pakufishëm për familjet e Sokolit e Tomës që sakrifikuan aq shumë për lirinë”, theksoi më tej Berisha.