E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekorohet mësuesi grek, ndihmoi fëmijën e sëmurë shqiptar

SELANIK - Eshte emocionuese të dëgjosh këtë histori njerëzore. Eshtë emocionuese të njohësh njerëz, që bëjnë akte të tilla humanizmi dhe po aq e bukur është, të jesh mirënjohës ndaj tyre.

Nxënës, mësues, prindër, anëtarë të komunitetit në Efkarpia të Selanikut, ishin të pranishëm në ceremoninë e dekorimit të drejtorit të shkollës së Efkarpias, Aleksandros Filipidis, nga Ministria shqiptare e Arsimit. 

Mësuesi grek njihet për aktin e tij human, në ndihmë të një fëmije shqiptar, i cili vuante nga një sëmundje e rëndë. Me një zemër të madhe dhe punë të palodhur, ai sensibilizoi nxënësit e shkollës, prindërit e tyre, bizneset, qytetarët, mediat greke dhe arriti të mbledhë shumën prej 100 000 euro, që nxënësi shqiptar, Ilia Demiri të kurohej në klinikat më të mira të Francës dhe ato greke. 

Në emër të shtetit shqiptar, familjes së vogëlushit dhe gjithë shqiptareve te Greqisë, konsulli shqiptar në Selanik, Riza Poda e falenderoi mësuesin për aktin human dhe i dorëzoi atij çertifikatën e mirënjohjes, të firmosur nga ministri i Arsimit Myqerem Tafaj. Konsulli shqiptar tha se rasti i mësuesit grek është një dëshmi e marrëdhënieve të mira të miqësisë shqiptaro-greke, ku dy komunitetet bashkëjetojnë duke ndihmuar njëri tjetrin. 

Në ceremoni, shokët e shkollës së fëmijës shqiptar, recituan mesazhe paqeje, dashurie, miqësie, ndihme dhe shprese për jetën ...

Mësuesi grek, Aleksandros Filipidis është një shembull i pastër, se zemra e madhe, humanizmi dhe dashuria nuk njohin komb, kufij dhe racë. Lidhje te tjera FOTO - Dekorohet mësuesi grek, ndihmoi fëmijën e sëmurë shqiptar

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›