E Diel, 1 Nëntor 2026

Dekretet, Kushtetuesja nis shqyrtimin e kërkesave të PD-së

Deputetët e Partisë Demokratike çuan në gjykatë këto nene, duke kërkuar mendim mbi emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. Gjithashtu, kërkohet edhe një shqyrtim i kritereve mbi mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj si dhe rotacioni i detyrueshëm në çdo 3 vjet.

"Ne dëshirojmë që një praktikë të tillë të mos ia lëmë spontanitetit dhe shqyrtimit ad hoc që mund të bëjë një shumicë e caktuar apo një president i caktuar. Natyrisht, unë besoj dhe dëshiroj shumë që kjo praktikë, ky vendim i mundshëm i Gjykatës Kushtetuese, të bëj ndryshimin e madh, atë të mentalitetit për ndërtimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Ne duhet ta ruajmë, ta prezervojmë pushtetin e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, ta bëjmë atë mjedis të pabanuar nga ndikimet politike", tha relatori i deputetëve demokratë Viktor Gumi.

Gjatë seancës së sotme, Presidenca nuk ka pasur përfaqësues, duke i dërguar një letër trupit gjykues, duke theksuar se i mbetej asaj të sqaronte këto nene. "Trupi Gjykues tërhiqet për vendim, do të njoftoheni për vendimmarrjen nëpërmjet administratës gjyqësore", tha kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Vendimi do të bëhet publik gjatë ditës së mërkurë, ku Gjykata Kushtetuese do të vendosë mbi mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj nga presidenti i Republikës.

PD ka kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese për dy kritere: i pari ka të bëjë me mënyrën e emërimit të anëtarëve, pasi ligji themelor i shtetit parashikon rinovimin me tre anëtarë çdo tre vjet, ndërsa kërkesa e dytë e PD-së lidhet me kriteret që duhet të plotësojnë anëtarët e Kushtetueses që dekretohen nga Presidenti dhe kërkojnë të emërohen në këtë institucion. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2010-12-21 15:28
  [ 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›