E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekretet, Topi shkarkon dy prokurorë

Tiranë, 26 shkurt, NOA Kanë kryer shkelje që diskreditojnë rëndë figurën e prokurorit, prandaj presidenti i Republikës ka dekretuar shkarkimin e dy prej tyre.

Kështu është argumentuar ligjërisht firmosja e shkarkimit për dy përfaqësues të njohur të organit të akuzës nga ana e kreut të shtetit, Bamir Topi.

Lajmi i konfirmuar zyrtarisht nga Presidenca për agjencinë e Lajmeve NOA, bën me dijeni se me anë të dekreteve nr. 6434 dhe nr. 6435, Topi ka dekretuar largimin nga detyra të prokurorëve me emrat Ilir Gjevori dhe Aleksandër Plepi.

Mësohet se i pari mban detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Elbasanit, ndërsa i dyti është prokuror në Prokurorinë e Tiranës.

Në mbështetje të neneve 149 pika 3 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të neneve 27, pika 3, 32 gërma d, 33 pika 1 germa ç si dhe pika 3 të ligjit nr. 8737, datë 12.02.2001 Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar, me propozim të Prokurorit të Përgjithshëm, me motivacionin për shkelje që diskreditojnë rëndë figurën e prokurorit dekretoj shkarkimet nga detyra, citohet në urdhrin e lëshuar nga kreu i shtetit, Bamir Topi.

n.e/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›