E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti: Partitë, miliona shpenzime për reklamat

Publikimi Tryeza e shoqërive civile kërkon të hartohet një ligj që garanton transparencën e financimit në zgjedhje

Partitë politike kanë shkelur Kodin Zgjedhor për deklarimin e financimeve para dhe gjatë fushatës zgjedhore. Një raport, i financuar nga “Soros” dhe i hartuar nga Forumi i Mendimit të Lirë dhe Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi, del në përfundimin se deklarimet e bëra nga partitë në KQZ janë shumë larg realitet krahasuar me shpenzimet që ato kanë bërë gjatë fushatës. Ndaj hartuesit e këtij e raporti, por edhe shoqëria civile, bien në një mendje se duhet përmirësuar legjislacioni në mënyrë që t’i detyrojnë partitë që të mos bëjnë deklarime të rreme. Raporti u publikua dje në praninë e analistëve, deputetëve dhe drejtuesve të mediave, ku u fol gjerë e gjatë për një ndër çështjet më të përfolura për sa i përket procesit zgjedhor, atë të burimit të financimit të partive gjatë apo para fushatës elektorale. Raporti ka monitoruar shpenzimet për sa i përket reklamave në televizione, billbordeve dhe organizimit të mitingjeve për disa parti në disa qytete, ndaj nuk ka një shifër konkrete të shpenzimeve. Por hartuesit e tij thonë se duke krahasuar monitorimet e tyre me ato çfarë është deklaruar në KQZ, shifra është krejtësisht e ndryshme. Mentor Kikia, i pranishëm në këtë prezantim, tha se shifrat janë jo reale në krahasim me shpenzimet dhe se ekzaminimi i bërë është i pjesshëm. Realisht janë monitoruar vetëm disa zëra të fushatës dhe nga krahasimet del se deklarimet e partive politike nuk janë të vërteta. “Ky studim ka vlerë praktike dhe jo për shifrat. Nga ajo çfarë kemi vënë re, po të përdornim rregullin e treshit, shifrat do ishin shumë ndryshe. Jemi larg së vërtetës po ama kemi mundësi të tregojmë se si informaliteti gëlon në politikë”, tha Kikia. Sipas raportit, vetëm për reklama partitë kanë shpenzuar 1.7 milionë euro, ndërsa PS vetëm për mitingun përmbyllës ka shpenzuar 1.699.400 lekë ndërsa PD 6.659.000 lekë, duke u ndjekur nga LSI, PR, G99 etj. Një tjetër pjesëtar i shoqërisë civile, Andrea Stefani, vuri në pah problemin e vullnetit të politikës për të përmirësuar ligjin. Sipas tij, i takon shoqërisë civile që të vërë në lëvizje institucionet duke dorëzuar një dosje në prokurori. “Ky është një problem i rëndësishëm, por duke ia dhënë mendimet tona politikës sërish kemi një problem, sepse nuk kemi një klasë politike që ka vullnet të bëjë ligje”, tha ai. Ndërsa Shezai Rrokaj vuri në dukje nevojën e një strukture të veçantë për të bërë verifikimet. “Nuk ka një strukturë jashtë partive për të bërë verifikime. Këtë rol duhet të kryejë shoqëria civile. E nevojshme është që të ngrihet me ligj një strukturë e përbërë pikërisht nga ekspertë të shoqërisë civile”, nënvizoi Rrokaj. Ndërsa një ndër hartuesit e Kodit Zgjedhor, Damian Gjiknuri deklaroi se verifikimin mund ta bëjnë organet tatimore. Nënkryetarja e KQZ, Dëshira Subashi, tha se nga një këndvështrim tjetër duhet parë se sa kanë ndikuar këto financime dhe shpenzime marramendëse te rezultati. “Financimet e partive përbëjnë një element të rëndësishëm që lidhet me ndarjen e pushtetit. Në zgjedhjet e 2009-s kishte një fushatë marramendëse po nuk dihet se çfarë ndikimi pati te rezultati, nisur edhe nga diferenca e ngushtë e tij. Kështu siç është Kodi Zgjedhor, është një standard informal përderisa s’ka efekte”, tha ajo. Edhe numri dy i KQZ shtroi nevojën e krijimit të një strukture jashtë KQZ.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›