E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli emëron Ruçin në Këshillin e Rregullores

Opozita proteston për përbërjen e Këshillit. Tërhiqet Topalli


TIRANË - Protesta e opozitës për mënyrën e formatimit të Këshillit të Rregullores ka dhënë efektet e veta. Menjëherë pas denoncimit publik nga përfaqësuesit e opozitës për mos respektimin e rregullores për sa i përket balancimit të raporteve mazhorancë-opozitë në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka reaguar dhe menjëherë ka bërë emërimin e kreut të grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, në të në vend të deputetit Shpëtim Idrizi.


Nëpërmjet një njoftimi për mediat të orëve të vona të mbrëmjes, zyra e shtypit e Kuvendit ka bërë të ditur vendimin e kryeparlamentares Topalli për të emëruar Gramoz Ruçin në vend të deputetit Idrizi.


"Në mbështetje të nenit 13, pika 1 të Rregullores së Kuvendit, për shkak të mosmarrjes pjesë të deputetit Shpëtim Idrizi në mbledhjet e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, të datave 1 dhe 2 qershor 2010, Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli (Çoba), vendosi që deputeti Gramoz Ruçi të emërohet anëtar i Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në vend të deputetit Shpëtim Idrizi", - thuhet në njoftimin zyrtar në faqen e Kuvendit.


Nuk dihet nëse emërimi i Ruçit bëhet vetëm për mbledhjen e radhës apo për gjithë veprimtarinë e këtij Këshilli në vazhdim. Neni 13 i Rregullores së Kuvendit përcakton se Këshilli i Rregullores përbëhet nga 10 anëtarë me detyrimin që përfaqësimi të jetë i barabartë mes shumicës qeverisëse dhe opozitës.


Për të respektuar këtë nen, kryetarja e Kuvendit kishte emëruar pa u diskutuar më parë me grupin socialist 4 deputetë të PS-së dhe deputetin e PDU-së, Shpëtim Idrizi, duke e konsideruar atë si pjesë të opozitës, pavarësisht se ai ka votuar në vijimësi të gjitha nismat e qeverisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›