Greqia, inventar për pronat e minoritetit grek në Shqipëri

Ministria e Jashtme greke konfirmoi se ajo është bashkëfinancuese e një programi të OSBE-së për inventarizimin e pronës së minoritarëve në bregdetin jugor të Shqipërisë
TIRANË - Greqia është e interesuar për krijimin e një inventari në bregdetin e jugut shqiptar për evidentimin e pronave të minoritetit grek në Shqipëri sipas një financimi të qeverisë greke me OSBE-në.
Ministri alternativ i Punëve të Jashtme të Greqisë, Dimitris Droutsas, e bëri të ditur këtë fakt gjatë një fjalimi mbrëmjen e së hënës në Parlamentin grek, ku iu përgjigj pyetjeve të subjektit politik, L.A.O.S.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme greke, Droutsas ka deklaruar ndër të tjera se Greqia dominon fort me ekonominë e saj në Shqipëri, dhe kjo, sipas tij, falë programeve dhe projekteve të fondeve dhënë në ndihmë të fuqizimit të minoritetit grek në Shqipëri.
"Vihet re një prani e fortë e ekonomisë së Greqisë në Shqipëri, kjo falë krijimit të kushteve të duhura për pjesëtarët e pakicave kombëtare greke në Shqipëri, që ata të qëndrojnë në vatrat e tyre, dhe për ata që i kanë lënë këto vatra, të mund të kthehen atje të sigurt", - tha ai.
Për këtë arsye, ministri i Punëve të Jashtme përmend projektin e qeverisë me OSBE-në për pronat e pakicave greke në Shqipëri që, sipas Droutsas, po has vështirësi për shkak të çështjes ende të pazgjidhur të pronave në Shqipëri.
"Për të forcuar pozitën e pakicave kombëtare greke, dhe perspektiva për ata që kanë mbetur për t'u kthyer, është shumë e rëndësishme që të zgjidhet problemi lidhur me pronën në Shqipëri. Për këtë qëllim, Ministria e Jashtme greke është bashkëfinancuese e një programi të OSBE-së për inventarizimin e parë dhe të plotë të pronës së minoritarëve në bregdetin jugor të Shqipërisë",- tha Droutsas.
Si gjithnjë, Greqia kujton gjithashtu se një ndër kushtet e BE-së ndaj shtetit shqiptar është respektimi i të drejtave të minoritetit grek. "Në çdo rast, kursi europian që po ndjek Shqipëria do të ketë rëndësi kyçe për të ardhmen e marrëdhënieve greko-shqiptare.
Përparësi e Shqipërisë në këtë drejtim është gjithashtu të sigurojë interesat e Pakicave Kombëtare Greke", - tha Droutsas. Ai përshëndeti edhe regjistrimin e popullsisë sipas etnisë, një iniciativë e ndërmarrë kjo nga qeveria shqiptare, por që do të zbatohet vetëm vitin tjetër. "Një nga detyrimet që Shqipëria duhet të kryejë sipas BE-së, është të bëjë regjistrimin e popullsisë brenda vitit 2011.
Dhe ne e shohim pozitiv faktin që studimi i përgatitur nga autoritetet shqiptare përfshin një pyetje për origjinën etnike, e cila ka qenë një kërkesë e mbetur pezull kaq kohë nga Pakicat Kombëtare Greke", - tha ai.