E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekretet e Topit, dilemë për seancat dëgjimore

Në axhendën e sotme të Komisionit të Ligjeve nuk figurojnë tre anëtarët e Gjykatës së Lartë

Axhenda e ngjeshur e Komisionit të Ligjeve pritet të shtyjë sërish shqyrtimin e dekreteve të Presidentit Topi për Gjykatën e Lartë. Deputetët demokratë bënë me dije për “Shqip” se seancat dëgjimore do të fillonin ditën e hënë në Komisionin e Ligjeve, por në kalendarin e punimeve të komisioneve parlamentare kjo çështje është lënë jashtë rendit të ditës. Dilema dhe kontradiktat mes asaj që thuhet në korridoret e PD-së dhe asaj që publikohet në rendin e ditës së punimeve të komisioneve do të zbulohet sot në Komisionin e Ligjeve, kur pritet që të ndizen debate mes së djathtës dhe së majtës për projektligjin ‘Për faljen’. Mazhoranca, deri tani, ka shprehur vlerësime dhe mbështetje për kandidaturën e Medi Bicit, ndërsa për dy të tjerat është shprehur me rezerva. Sot, Komisioni i Ligjeve do të diskutojë për projektligjin “Për faljen” dhe projektligjin “Për inspektimin financiar publik”. Kuvendi ka kërkuar informacione shtesë nga Prokuroria, KLD, ILDKP, Ministria e Drejtësisë dhe i ka depozituar ato për të informuar edhe anëtarët e Komisionit të Ligjeve. Kështu, duke iu referuar amendimeve të miratuara të Rregullores së Kuvendit, drejtuesit e komisionit kanë vendosur që të zhvillojnë jo një, por minimumi tri seanca dëgjimore, çdo ditë një seancë për çdo një prej tre të dekretuarve. Medi Bici, Sokol çomo dhe Vexhi Muçmataj janë tre gjyqtarët që do t’i nënshtrohen seancës dëgjimore në Komisionin e Ligjeve. Arsyeja e shtyrjes së dekreteve të Presidentit Topi për Gjykatën e Lartë ishte mungesa e informacioneve nga institucionet që duhet të jepnin mendim. Seanca e parë pritet të jetë për Medi Bicin, më pas për Sokol çomon dhe Vexhi Muçmatajn. Por para zhvillimit të këtyre seancave Komisioni i Ligjeve duhet të merrte informacion nga prokuroria, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Ministria e Drejtësisë, ILDKP, Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tatimeve dhe nga Dhoma e Avokatisë. Nga diskutimet në grupin demokrat është lënë të kuptohet që nga tri kandidaturat e propozuara nga Topi të kalojë vetëm ajo e Medi Bicit, ndërkohë që pritet rrëzimi i Sokol çomos dhe Vexhi Muçmatajt.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›