E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spitali i Bulqizës, vetëm 12 orë ujë në ditë

Ujësjellësi gjen zgjidhjen pas ankesave të mjekëve: Blini depozita për të përballuar nevojat tuaja

Duket se problemet për spitalin e Bulqizës nuk kanë të sosur. Kështu, krahas problemit të mungesës së mjekëve specialistë, ku pacientët nuk mund të marrin shërbimin e kualifikuar mjekësor, një tjetër problem për këtë spital mbetet edhe ai i mungesës së ujit 24 orë pa ndërprerje. Mjekët e këtij spitali thonë për “Shqip” se, një dukuri e tillë e ka vështirësuar mjaft punën veçanërisht në drejtim të plotësimit të kushteve higjieno-sanitare. Gjithashtu, mjekët ankohen se nuk ka ujë edhe në raste emergjencash kirurgjikale, si dhe në morgun e spitalit. Ndërkohë, sipas drejtorit të këtij spitali, Fatos Hoxha, mësohet se në vazhdimësi problemi i furnizimit me ujë pa ndërprerje ka qenë problem. “Jemi ankuar në Drejtorinë e Ujësjellësit Bulqizë, por ende nuk kemi gjetur zgjidhje. Madje, - vijon të tregojë drejtori,- në një shkresë zyrtare të marrë gjatë këtyre ditëve nga kjo drejtori, njoftohemi për orarin e furnizimit me ujë ku dhe porositemi prej tyre për të marrë masa për sigurim depozitash, për të krijuar rezerva uji në raste emergjente”. Aktualisht, spitali ka ujë vetëm 12 orë në 24 sipas këtij orari: 06:00 – 09:00 në mëngjes, 11:00 – 15:00 në drekë dhe 18:00 – 23:00 në mbrëmje. Po kështu edhe specialistë të laboratorit të analizave mjekësore pranë këtij spitali pohojnë se janë vënë në vështirësi në punën e tyre për shkak të mungesës së ujit të rrjedhshëm. “Në vazhdimësi kemi kërkuar nga Drejtoria e Ujësjellësit zgjidhjen e këtij problemi, thotë drejtori i spitalit, Fatos Hoxha, por deri më tani nuk kemi gjetur zgjidhje, pasi sipas kësaj drejtorie, kapacitetet ujore janë të tilla që nuk mundësojnë furnizimin me ujë pa ndërprerje. Por, ndërkohë kjo ndodh kur Bulqiza spikat për ujin e bollshëm dhe cilësinë e lartë të tij.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›