Berat, lagjja muzeore, pa ndriçim
Lagjja muze dhe më e rëndësishme e qytetit të Beratit, "Kala" është krejtësisht e pandriçuar. Ndërkohë vendorët vazhdojnë të shohin si prioritet kryesor për zhvillimin e qytetit turizmin kulturor dhe atë historik. Vizitorët e huaj dhe ata vendas duhet ta vizitojnë lagjen "Kala" vetëm nën dritën e diellit, pasi në mbrëmje dhe gjatë natës në këtë lagje e kanë të vështirë të lëvizin edhe banorët e saj. Lagjja ndriçohet vetëm nga dritat e banesave dhe ndodhet e zhytur në errësirë. Rrjeti i ndriçimit në këtë lagje përfshin vetëm banesat, ndërkohë që çdo vizitor i haj, por dhe vendas në qendër të vizitës së tij ka pikërisht lagjen simbol. Kjo situatë vazhdon prej vitesh, si pasojë e mungesës së investimeve për ndriçimin e saj. Tre vite më parë për të realizuar ndriçimin e së gjithë lagjes u akordua një fond prej 40 milionë lekësh të vjetra, por gjatë procesit që firma private po kryente për shtrirjen e rrjetit të energjisë elektrike, kabulli u vodh dhe pas kësaj ngjarjeje, lagjja mbeti krejtësisht në errësirë. Burime pranë bashkisë së këtij qyteti, por dhe ato pranë Monumenteve të Kulturës bëjnë me dije se projekti për ndriçimin e lagjes "Kala" ka ngelur në letër për shkak të mungesës së fondeve. Në këto kushte lagjja më e rëndësishme e Beratit, mbrëmjeve është e zhytur në terr duke mos ofruar kushte për vizitorët e saj.
#