Dekretet, grupi i punës pranë Presidentit shqyrton kriteret e PD-së
Grupi i ekspertëve të ngritur pranë Presidentit të Republikës ka marrë në shqyrtim dje letrën e dërguar nga kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, me kriteret që duhet të përmbushin anëtarët e Gjykatës së Lartë. Drejtoria e Informimit Publik të Institucionit të Presidencës ka bërë me dije se anëtarët e këtij grupi po punojnë duke shqyrtuar dhe diskutuar mbi kriteret ligjore dhe standardet e tjera profesionale, në bazë të të cilave Presidenti i Republikës do të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. “Grupi i punës administroi sugjerimet e ardhura nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dhe është në pritje deri ditën e hënë, më 30 qershor 2008 të propozimeve mbi standardet dhe kriteret, veç atyre ligjore, nga gjitha partitë politike parlamentare. Pas ditës së hënë, grupi i punës do të diskutojë në mënyrë integrale standardet dhe kriteret e propozuara e të sugjeruara, për t’i paraqitur më pas Presidentit të Republikës një material përfundimtar”, - shkruhet në njoftimin për shtyp. Gjatë ditës së djeshme ka reaguar dhe kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leksaj. Ajo ka bërë të ditur se Grupi Parlamentar i PS-së ka marrë letrën e Presidentit të Republikës në të cilën kërkon sugjerime për kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve për Gjykatën e Lartë. Leskaj është shprehur se Grupi Parlamentar i PS-së po e studion me vëmendje këtë çështje dhe së shpejti do t’i kthejë përgjigje presidentit Topi. Ajo ka bërë të ditur se nuk do të bëjë garë me PD-në, por pas një shqyrtimi serioz do të bëjë publike kërkesat e saj.
27 Qershor 2008