E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Kërkojmë komision hetimor për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit



Eljona Ballhysa
Lëvizja Socialiste për Integrim i është rikthyer kërkesës për ngritjen e një komisioni parlamentar hetimor për tragjedinë e Gërdecit. Duke iu referuar seancave të Kongresit Amerikan për shqyrtimin e kontratave për trafikun e armëve nga kompania “AEY”, deputeti Pëllumb Xhufi kërkoi dje në seancë që edhe Kuvendi shqiptar ta trajtojë me seriozitet tragjedinë e Gërdecit. Gjatë fjalës së tij Xhufi hodhi akuza për një vullnet politik të korruptuar brenda Kuvendit, që sipas tij, shkon përtej të majtës dhe të djathtës, të cilët kërkojnë “të mbysin ulërimën e Gërdecit”. Kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor u kërkua pak kohë më parë nga një grup deputetësh, por nuk u miratua. Gjatë ditës së djeshme PS-ja u shpreh se do ta rishikojë këtë kërkesë ndërsa maxhoranca iu shmang komenteve.
Kërkesa
“Problemi që unë do të doja të ngrija me forcë, duke bërë dhe një krahasim midis këtij Kuvendit tonë dhe Kongresit Amerikan, është që ndërsa Kongresi Amerikan po heton me shumë angazhim dhe me seriozitet një aferë, që në origjinë ishte e rregullt dhe ligjore, ajo e shitjes së fishekëve e një dimensioni të caktuar, Kuvendi i Shqipërisë, për fat të keq, ka refuzuar kërkesën e një grupi parlamentarësh, e një grupi deputetësh, të cilët kanë kërkuar ngritjen e një grupi hetimor për skandalin dhe për mënyrën e Gërdecit”, - është shprehur Xhufi. Sipas tij, zbardhja e tragjedisë së Gërdecit do të nxjerrë në pah shumë mistere të politikës shqiptare. “Ekziston një vullnet politik brenda Kuvendit, i cili kërkon të mbysë ulërimën e Gërdecit. Ekziston një vullnet politik, i cili nuk mund të përcaktohet majtas-djathtas, është një vullnet i korruptuar politik që për fat të keq, ka pushtuar edhe këtë Parlament”, - është shprehur Xhufi. Ai bëri të ditur se qeveria gati një vit më parë kishte përgatitur një fushatë sensibilizuese për të justifikuar tregtinë e armëve, por dhe demontimin e tyre. Një vit më parë, sipas Xhufit, u dha alarmi se Shqipëria noton mbi predha dhe se këto duheshin shitur, ose demontuar. “E gjithë kjo ka qenë një lodër dhe kujtoni një konferencë që është mbajtur para një viti, mbi një logo të turpshme, qesharake, “Shqipëria lider në ç’armatim”. Por, nuk është ky problemi. Problemi është që, gjithë kjo histeri, ankthi “militanist” është ngritur pikërisht për të ndërtuar atë Fabrikën e Gërdeci, për të ndërtuar biznesin e Gërdecit”, - është shprehur Xhufi.
Dyshimet
Deputeti i LSI-së akuzoi më tej qeverinë se përplasjet e fundit institucionale të krijuara për dekretet e presidentit kanë në thelb mbytjen e aferës korruptive të Gërdecit. “Çdo tentativë që ekzekutivi, që qeveria, që kryeministri kanë bërë pikërisht këto ditë, këto muaj për të vënë nën kontroll institucionin e presidentit, për të vënë nën kontroll parlamentin, për të vënë nën kontroll gjykatat, për të vënë në kontroll Prokurorinë e Përgjithshme, ne i konsiderojmë një tentativë për të mbytur aferën e Gërdecit”, - është shprehur Xhufi. Më tej ai u shpreh se qeveria duhet të jetë më e kujdesur në marrëdhëniet që krijon me partnerët ndërkombëtar dhe t’i përdorë ato si koperturë e aferave korruptive. Xhufi kujtoi dhe një shprehje të kryeministrit në Kuvendi të disa kohëve më parë. “Kryeministri na ka kërcënuar dikur, para një viti, ku i kërkonim disa të dhëna financiare për rrugën, “mos mprihni qetë me Shtetet e Bashkuara”. Është rasti t’i themi ne kryeministrit, ki mendjen, mos mpreh qetë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, - është shprehur Xhufi. Edhe deputeti i Partisë Demokristiane, Frrok Gjini, në fjalën e tij e ka cilësuar të turpshme përdorimin e mediave për të akuzuar SHBA-të në aferën korruptive të Gërdecit. “Është e turpshme që në skandalin më të fundit, trafikun e armëve dhe ngjarjen e Gërdedcit, dikush të kërkojë të përfitojë dhe manipulojë median duke fajësuar shtetin më të fuqishëm dhe më mbështetës në botën demokratike”, - është shprehur Gjini gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend.

27 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›