E Diel, 1 Nëntor 2026

Dekretet që përplasin Topin me qeverinë

Ambasadorët, kreu i ri i SHISH-it dhe anëtarët e gjykatave, prova në fuqi e përplasjes President-mazhorancë

Pas arritjes së “pikës së vlimit” të marrëdhënieve mes Presidentit dhe mazhorancës, pritet konkretizimi i pasojave që sjell një përplasje institucionale. Siç deklaroi vetë kreu i shtetit, Bamir Topi, dy ditë më parë Presidenca do të kalojë në “sitë të hollë” të gjitha propozimet që vijnë nga qeveria apo Kuvendi. “Në rast se Kuvendi me të drejtë ka rritur rigorozitetin në kontrollin e kandidaturave, kjo vlen dhe për Institucionin e Presidentit, që duhet ta përmirësojë, të vendosë kritere shumë më rigoroze për të gjitha kandidaturat dhe propozimet që vijnë nga pushtetet e tjera. Pra, kjo është historia e pushteteve në një vend demokratik, “check and balance”, shikojnë njëri-tjetrin, kontrollojnë njëri-tjetrin dhe punojnë për demokracinë”. Kështu tha Presidenti Topi nga Thethi dy ditë më parë dhe përkthyer sipas Kushtetutës së Republikës, kreu i shtetit mund t’i shkaktojë mjaft “dhimbje koke” mazhorancës. Duke filluar nga kreu i shërbimit sekret, për të vazhduar me anëtarët e institucioneve të larta, ambasadorët etj. Presidenti, me të drejtën që i jep Kushtetuta, ka një pjesë të mirë të kompetencave në dorë, të cilat mund t’i shkaktojnë dhimbje koke mazhorancës më shumë se mosvotimi i dekreteve për Gjykatën e Lartë.

Kompetencat

Këshilli i Ministrave dhe Parlamenti do t`i kërkojnë Presidentit të Republikës duke filluar që nga java e ardhshme, firmën për një seri çështjesh. Kuvendi do të dërgojë brenda këtij muaji në zyrën e kreut të shtetit emrat e katër ambasadorëve të rinj, që pasi do kalojnë provën në Komisionin e Politikës së Jashtme, pritet të marrin dekretin e Presidentit për të ushtruar funksionin e diplomatit në vendin pritës. çështja e dytë e rëndësishme ku Presidenti pritet të kërkojë një kontroll rigoroz është edhe vendimi për kreun e ri të Shërbimit Inteligjent Shqiptar. Ligji për Shërbimin Informativ Shtetëror, i ndryshuar është rikthyer sërish në zyrat e Kuvendit. Rishqyrtimi në komisionin e sigurisë dhe votimi në sallën e Kuvendit i këtij ligji që synon mandatin 5-vjeçar për drejtuesin e shërbimit sekret do t`i hapë sërish rrugë të lirë kreut të shtetit, në rast se mazhoranca do të propozojë një emër të ri për drejtimin e Shërbimit Informativ Shtetëror. çështja “check and balance” që institucionet të shikojnë dhe të kontrollojnë njëri-tjetrin pritet të shkaktojë ilaritete mes institucioneve. Drejtuesit e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë janë sërish në kompetencën e kreut të shtetit. Edhe pse mazhoranca qeverisëse ndryshoi ligjin ‘për faljen’, do të jetë Presidenti ai që do të vendosë faljen ose jo të emrave që do të përcaktohen nga Ministria e Drejtësisë. Emërimi i ambasadorëve të rinj është pika ku Presidenti do të tregojë nëse do të vendosë apo jo kontroll rigoroz për këto kandidatura. Sipas nenit 92 të Kushtetutës, që tregon edhe kompetencat e Presidentit të Republikës, kandidaturat për diplomatët shqiptarë në vende të huaja bëhen me propozim të Kryeministrit, por emërimi dhe lirimi i tyre është kompetencë kushtetuese e kreut të shtetit. Kjo çështje është e afërt, pasi përpos dy kandidaturave për ambasadorë që kanë kaluar nga Komisioni për Politikën e Jashtme, surpriza pritet të vijë për dy kandidaturat e reja që duhet të kalojnë brenda këtyre dy javëve në Komisionin e Jashtëm. Njw shembull i shpejtw wshtw kalimi i kandidaturws për ambasadorin e ri shqiptar nw SHBA, Meksikë, Panama dhe Republikën Domenikane dhe ambasadorin e ri pranë misionit të OSBE-së në Vjenë. Zgjedhja e kreut të ri të Shërbimit Informativ do të jetë çështja që padiskutim do të kalojë nëpërmjet një procesi delikat nga ana e Kryeministrit, pas lëvizjes së tij më të fundit për të rrëzuar kandidaturat e Presidentit për Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Pika ‘f’ e nenit 92 specifikon se me Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, emëron drejtorin e Shërbimit Informativ Shtetëror. Në kompetencën e kreut të shtetit është edhe caktimi i datës së zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve dhe të drejtën e tij për të kërkuar mendim dhe të dhëna me shkrim nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështje që kanë të bëjnë me detyrat e tyre.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›