Kriza e buxhetit, institucionet e rrezikuara
Shkurtimi i buxhetit të shtetit, i paralajmëruar nga ministri i Financave, ka prekur pothuajse të gjitha institucionet, dikë më tepër, e dikë më pak. Nga krahasimet e bëra me buxhetin fillestar, programi i ri buxhetor “godet” më shumë Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit, me rreth 9 miliardë lekë më pak dhe Ministrinë e Shëndetësisë me gati 4 miliardë lekë të reduktuara. Nuk mbeten pas edhe institucionet e pavarura kushtetuese, konkretisht pjesa e gjyqësorit. Në total qeveria ka shkurtuar rreth 39 miliardë lekë, ku afërisht 25 për qind i takojnë ministrisë së drejtuar nga Sokol Olldashi. Edhe Ministria e Mbrojtjes, pavarësisht projekteve në kuadër të NATO-s, do të ketë më pak fonde në dispozicion për pjesën e mbetur të vitit, rreth 5 miliardë lekë.
Të gjitha fondet e tërhequra nga plani për t’u shpenzuara prekin më së shumi pjesën e investimeve, që në total janë 19 miliardë lekë. Sipas Ministrisë së Financave, nuk do të përfshihen në listën e projekteve për financim objektet që nuk kanë nisur nga puna, duke u dhënë rëndësi vetëm atyre që janë në proces. Nga Ministria e Transporteve vijnë sqarimet se pjesa dërrmuese e projekteve rrugore janë në përfundim dhe që u takojnë akseve nacionale. Me këtë logjikë, ajo pjesë që është shkurtuar u përkiste disa akseve që do të rehabilitoheshin. Sipas buxhetit të ri, të miratuar dy ditë më parë nga Kuvendi i Shqipëri, programit të rrugëve nacionale do t’u hiqen nga fondi 7 miliardë lekë, duke e lënë me rreth 30 miliardë. Pak ditë më parë, zv.ministri i Transporteve, Ernest Noka, mohonte faktin që rrugëve do t’u shkurtohen fondet, por me planin e ri, deklarata e tij bie poshtë. Shkurtime të buxhetit do të pësojë edhe Ministria e Financave, institucioni që ndërmori iniciativën për reduktimin e programit buxhetor. Ministri i Financave do të ketë rreth 500 milionë lekë më pak në dispozicion, ndërsa i gjithë buxheti i ri do të jetë afro 6.3 miliardë lekë.
Më të prekuritInstitucionet që ndikojnë në jetën sociale të njerëzve janë ndër më të prekurat nga kriza e shkurtimit të buxhetit. Ministria e Bujqësisë nuk do të ketë në dispozicion 2.2 miliardë lekë, shëndetësisë i hiqen 4 miliardë, arsimit rreth 5 miliardë lekë, kurse Ministria e Punës, si efekt i rritjes së pagave, do të ketë buxhet më të madh, pa ndikim tek investimet. Duke u ndalur tek arsimi, më pak fonde do të ketë për pjesën e arsimit bazë, rreth 1 miliard lekë.
Sektorit të gjyqësorit në vend do t’i duhet të menaxhojë më pak fonde për pjesën e mbetur të vitit. Shkurtime fondesh për prokurorinë janë vendosur në masën 80 milionë lekë, për Zyrën e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor do të jenë gati 50 milionë lekë më pak, për Gjykatën Kushtuese 10 milionë lekë më pak, kurse për Shërbimin Informativ Shtetëror rreth 90 milionë lekë të reduktuara. Duke mbetur te ky sektor, Ministria e Drejtësisë do të operojë me gati 1 miliard lekë më pak, ku rreth 400 milionë lekë i takojnë t’i hiqen zyrës që mbulon kthimin dhe kompensimin e pronave.
#